REZULTATET LIVE
Shiko listën e plotë
Video Galeri

Ambasadori i RSH në Turqi zbulon për EDS emocionet e fitores së kuqezinjve dhe marrëdhëniet me Turqinë

14 Nëntor 2017 18:22

Kombëtarja shqiptare zhvilloi një ndeshje të madhe të hënën mbrëma në “Antalya Stadium” duke mposhtur me rezultatin 3-2 Turqinë në miqësore. Një kundërshtar dinjitoz, por që Shqipëria e zvogëloi në fushë veçanërisht në pjesën e parë duke treguar një nivel të lartë.

Golat e kuqezinjve ngritën peshë tifozët e pakët shqiptar në stadium, por sigurisht edhe teleshikuesin, që e ndoqi nga ekrani. Një tifoz i veçantë në “Antalya Stadium” ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Z.Genti Gazheli, i cili u konsiderua si “hajmalia” e kuqezinjve nga shefi i FSHF-së, z.Armand Duka.

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për eduasportin.com Gazheli flet për emocionet e përjetuara në stadium, bisedën me kreun e FSHF-së, si dhe zbulon marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë edhe Shqipërisë, që siç duket edhe në media janë të shkëlqyera.

Z.Gazheli përshëndetje! Besoj se suksesi i kuqezinjve ështe një kënaqësi e madhe për ju, cila është ndjesia që ju dha fitorja ndaj Turqisë?

Së pari më lejoni që t’ju falenderoj për intervistën. Ndeshjen miqësore midis dy ekipeve kombëtare të Turqi–Shqipëri e ndoqa nga shkallët e stadiumit “Antalia Stadium”. Është kënaqësi të ndjekësh ekipin kombëtar në kompeticione të ndryshme, por ndjesia dhe kënaqesia është e veçantë kur ekipi yt i zemres fiton dhe luan denjësisht me një ekip të fortë si ekipi Kombëtar Turk. S’mund të ndjeja tjetër gjë, veçse një emocion të pakrahasueshëm dhe krenari.

Përpara ndeshjes ju zbritët në fushë së bashku me presidentin e FSHF, Armand Duka, ai tha se ishit “hajmalia” e kuqezinjve. Komenti juaj për këtë?

Është shumë e vërtetë. Përpara fillimit të ndeshjes sëbashku me Presidentin e FSHF z.Duka zbritëm në fushën e blertë për të bërë një foto. Duke qeshur më tha: “Uroj që prania juaj në këtë ndeshje Ambasador të na sjellë fat!”. Siç duket kam patur këmbën e mbare siç thotë populli.

Si janë marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Shqipërisë?

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona të bazuara në miqësinë dhe lidhjet tradicionale, kanë fituar tashmë një dimension të ri, atë të Partneritet Strategjik, që i hap rrugë institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushe. Shqipëria si edhe Turqia përballen me sfida të përbashkëta, siç ështe lufta kundër terrorizmit.

Të përgëzuan miqtë turq për fitoren e kombëtares pas ndeshjes?

 Patjetër! E përshëndetëm njëri-tjetrin shumë miqësisht!

Besoj kombëtaren e keni ndjekur edhe më parë, si e shikoni të ardhmen e kuqezinjve me Kristian Panuçin në krye?

Jam një ndjekës i hershëm i ndeshjeve të Kombëtares Shqiptare që në fëmijëri. Realisht kuqezinjtë kanë nisur një rrugëtim shumë të mirë me trajner Kristian Panuçi. Mos të harrojmë, që është një projekt, që sapo ka filluar dhe kërkon shumë angazhim nga të gjithë lojtarët dhe stafi drejtues i skuadrës. Unë mendoj se më e rëndësishme është, që të kenë një mentalitet fitues.

I uroj Ekipit Kombëtar Shqiptar, stafit drejtues dhe Presidentit Duka fitore dhe suksese në të ardhmen!

 

Intervistoi: Drilon Xhepollari

 

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment