REZULTATET LIVE
Shiko listën e plotë
Video Galeri

Basket, tri basketbolliste nuk bashkohen me kombëtaren: Jemi në punë!

3 Nëntor 2017 15:04

Për një sportist, kënaqësia më e madhe në karrierë është kur merr ftesë nga ekipi kombëtar për të përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare, por në Shqipëri si çdo fushë tjetër e jetës edhe sporti ka shumë probleme. Madje përveç futbollit, sportet e tjera mbahen gjallë vetëm nga pasioni pasi pagat janë mizerabël dhe si rrjedhojë nuk ka sportistë profesionist.

Rasti më i fundit e vërteton më së miri këtë gjë, tre basketbolliste nuk kanë pranuar t’i bashkohen ekipit kombëtar pasi janë të angazhuara në punë. Gera Bujari, Dorina Mema dhe Igena Qypi, nuk do të jenë pjesë e kombëtares për eliminatoret e Europianit 2019. Arsye është e thjeshtë: janë në punë dhe federata i ka njoftuar me vonesë dhe pa shkresë zyrtare.

“Unë jam në punë e nuk mund ta ndërpres për asnjë çast atë, pasi më përjashtojnë pa një leje të arsyeshme. Kështu që, për të arsyetuar këtë gjë, më duhet një shkresë zyrtare nga ana e federatës ku të përcaktohen datat kur unë do të jem e grumbulluar, për të justifikuar mungesën time”, tha për “Panorama Sport” basketbollistja e Goga Basket, Igena Qypi. Për të njëjtat arsye, edhe dy basketbollistet e tjera nuk janë paraqitur”.

Ekipi është grumbulluar në Vlorë, ndërsa ndeshja e parë zyrtare do të zhvillohet në 11 nëntor kundër Rusisë në Tiranë. Ndërsa më 14 nëntor, ndeshja e radhës do të jetë në Hungari, dhe në shkurt të vitit tjetër, skuadra jonë do të luajë përsëri në Tiranë, kundër ekipit kombëtar të Lituanisë.

 

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment