REZULTATET LIVE
Shiko listën e plotë
Video Galeri

Batutat me gazetarët pas ndeshjes, Panucci merr duartrokitje

14 Nëntor 2017 09:55

Salla e konferencave për shtyp në stadiumin e Antalias pas miqësores Turqi-Shqipëri ishte e mbushur kryesisht me gazetarë turq, të cilët mezi prisnin të vinte trajneri Lucescu për t’a “masakruar”.

Gjithsesi i pari që shfaqet është pikërisht trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, për të cilin gazetarët turq nuk kanë shumë interes, por vendosin t’i drejtojnë dy pyetje. Tekniku shkëmben edhe ndonjë batutë për të shkrehur situatën, kur përmendet togfjalëshi “përmbyllja e ndeshjes” gjatë përkthimit.

“Ah, po e mbyllim? Atëherë unë po largohem...”, thotë Panucci me të qeshur, dhe bën sikur largohet, duke shkaktuar të qeshura. Më pas ulet dhe bën një përmbledhje të shpejtë të ndeshjes, ku përqendrohet te pjesa e parë e përkryer e kuqezinjve: “Kemi bërë një pjesë të parë shumë cilësore. Kemi pasur mundësinë për të bërë stërvitje nëntë ditë. Kam parë skuadrën që ka punuar shumë mirë dhe kisha shumë besim tek ata. Pasi mbetëm me 10 lojtarë kemi vuajtur shumë, sidomos nga krahët ku viheshim në inferioritet numerik. Më pas kur luajtëm me rreshtimin 5-3-1 atëherë morëm lojën në dorë. Fundi i kësaj ndeshjeje është kështu, shumë i lumtur për skuadrën. E përgatitëm me shumë seriozitet miqësoren”, - thotë tekniku, i cili është po aq optimist kur pyetet për të ardhmen:

“Besoj se rruga është ajo e duhura. Si në pjesën e parë, luajtëm futboll. Kemi dy mundësi, atë të marsit dhe atë të majit e qershorit për të përgatitur ekipin para eliminatoreve të Europianit. Kemi shumë punë për të bërë, por kemi kualitet të mirë që më bind dhe mund të bëj punë të mirë”, - shton italiani.

Sakaq, gazetarët turq nuk ngurojnë ta urojnë që të gjithë Panucci-n për paraqitjen e mirë të Shqipërisë dhe në fund ka edhe duartrokitje. Trajneri shfaqet i surprizuar dhe pasi i falënderon, largohet duke buzëqeshur.  / EDS /

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment