REZULTATET LIVE
Shiko listën e plotë
Ringjallet Dinamo, krijohet shoqata e basketbollit!

Ringjallet Dinamo, krijohet shoqata e basketbollit!

7 Dhjetor 2017 19:42

Dinamo e viteve të lavdishme në basketboll, ka mbetur në mendjen e të gjithë sportdashësve, por pavarësisht trofeve të shumtë të fituar në vitet e fundit ky ekip u la në harresë. Ish-basketbollistët dhe dashamirës të këtij ekipi të lavdishëm, pas një sërë bisedimesh dhe takimesh mes tyre vendosën të krijojnë Shoqatën Dinamo, e cila ka në fokus të promovojë të rinjtë, por njëkohësisht të rrisë nivelin e basketbollit në vend. Në ambientet e Hotel Tirana, pasditen e sotme u zhvillua një konferencë e jashtëzakonshme, ku ishin të ftuar ikona të basketbollit, presidenti i FSHB, Avni Ponari, zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme. Të gjithë me qëllimin e njëjtë: Për të festuar krijimin e Shoqatës së Basketbollit “Dinamo”.

“Të nderuar ish-basketbollistë, të nderuar miq dhe kolegë. Kam kënaqësinë dhe nderin të deklaroj krijimin e shoqatës së Dinamos. Është një shoqatë jofitimprurëse. Ideja ka lindur mes lojtarëve, që kanë luajtur me Dinamon. Jam i sigurt, se kjo iniciativë është për të gjithë. Kushdo mund të bëhet pjesë, struktura është shumë e thjeshtë dhe përfaqësuese”, tha fillimisht presidenti i shoqatës Ilir Trebicka.

“Duam të ndërtojmë Shoqatën Dinamo për të ngritur lart emrin e kësaj shoqërie dhe të ndihmojmë basketbollin në Shqipëri. Ne jemi të pakënaqur nga basketbolli, pasi rezultatet kanë qenë të dobëta. Ne duhet të përgatisim moshat e vogla. Qëllimi ynë është të punojmë me brezat e ardhshëm. Jemi të sigurt, se kontributi jonë modest do të ndihmojë sportin e basketbollin. Iniciativa është private dhe jo shtetërore. Motja jonë është: Çdo gjë për fëmijët!”, vazhdoi ai.

Rikthimi në Kategorinë Superiore - "Nese pret që të jemi të vërtetë dhe jo me blerjen e lojtarëve do disa vite. Ne kemi vendosur që të kthejmë basketbollin, por duke promovuar fëmijët tanë dhe të nxjerrim lojtarë. Do një 5 vjeçar, që të arrijmë në nivele të larta dhe të punojmë me moshat. Kjo është strategjia afatgjate. Strategjia afatshkurtër na ben, që të jemi prezent në të gjitha kampionatet", shtoi Trebicka.

Financat - "Ne nuk kemi muskuj, por edhe pa muskuj nuk jemi!  Mendoj se të gjithë mbijetojnë.. Ne duam të marrim pjesë me lojtarë shqiptarë, jo të blejmë të huaj", deklaroi presidenti i shoqatës.

Një ndër besketbollistët e Dinamos së lavdishme, Spiro Shano, u shpreh, se objektivi i parë i drejtuesve duhet të jetë rikthimi i tifozëve.

“Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe presidentin Ilir Trebicka, që krijuan shoqaten e Dinamos. Shpresoj që vitin tjetër të nisim edhe pjesëmarrjen në kampionat. Jam një ndër veteranët e këtij ekipi dhe duhet të jemi të bashkuar të gjithë brezat e Dinamos, që kanë luajtur me këtë klub. Duhet të arrijmë të risjellim tifozët e Dinamos në pallatin e sportit, si në kohët e arta. Për të arritur objektivat që kemi vendosur, duhet durim dhe punë. Kam besim, se do t’ia dalim. Kam besim te stafi drejtues i kësaj shoqate. Dua të falenderoj të gjithë lojtarët e viteve 60', pasi e ngritëm Dinamon në nivelet më të larta. Jetoj në Greqi, por do të vij këtu dhe do të kthehem për të ringritur Dinamon. Çdo lojtar që vesh këtë fanellë,  duhet të ketë përgjegjësi dhe të dijë, se  ke përfaqëson”, tha Shano.

Jeni i lutur të hyni në llogari që të lini një koment