Nëse për një periudhë rekalitivisht të gjatë i lexoni çdo ditë lajmet e fundit online, me shumë mundësi që do filloni të mendoni se nuk ka më shpresë për të ardhmen e këtij planeti.
Njerëzit janë më të prirur të lexojnë më shumë lajme negative sesa pozitive
Problemi dhe shqetësimi nuk qëndron vetëm te fakti që në botë ndodhin vazhdimisht gjëra të tmerrshme, por edhe në faktin që truri ynë është më i prirur për t’i kushtuar rëndësi këtyre lajmeve sesa gjërave positive. Psikologët e kanë quajtur këtë si “paragjykim negativiteti” dhe është diçka që ne e zhvillojmë që në fëmijërinë tonë. Ndërkohë që ky “paragjykim negativiteti” mund t’i ketë ndihmuar paraardhësit tanë në situata kërcënuese për jetën, në ditët e sotme po na largon nga rruga e lumturisë dhe madje në shumë raste po na largon edhe nga produktiviteti ynë. Zakonisht, pasi lexojmë negativitet nga lajmet e fundit online, jemi të prirur që fajin t’ua hedhim gazetarëve, mediave, portaleve të ndryshme, etj. Në fakt, ata thjesht na servirin pikërisht atë që ne kërkojmë… Gjërat negative ndodhin shpejt dhe si pasojë edhe I kuriozojnë njerëzit më shumë, kurse vetë natyre e këtyre të fundit, i kushton rëndësi gjërave pozitive në momentin që nuk i ka më ato. Nga studime të ndryshme është parë që një pjesë e madhe njerëzish preferojnë të informohen dhe t’i lexojnë lajmet e fundit online që herët në mëngjes. Rreth 30% prej tyre kanë raportuar se pasi i kanë lexuar lajmet negative kanë pasur ditë jo edhe aq të lumtur, madje shumë herë i ka ndikuar për keq edhe në jetën familjare, të punës apo edhe shkollës.
Kjo situatë duhet të vihet në kontroll menjëherë
Të gjithë duan të jenë të informuar, por ekspozimi i tepërt ndaj lajmeve e sidomos ndaj lajmeve negative, mund të na ndikojë në humorin tonë, aftësinë për të qëndruar racionalë e logjikë dhe shumë here edhe në stilin e jetesës. Jemi qytetarë të kësaj bote dhe si të tillë na lind detyra të jemi të informuar. Por jo rrallë herë na ndodh të stresohemi, mërzitemi apo të ndjejmë nevojën që duhet t’i lexojmë lajmet sepse mund të humbasim diçka shumë të rëndësishme. Jo rrallë herë stresohemi në mëngjes sepse marrim negativitet nga lajmet rreth krimeve, politikës, fesë, etj, etj. Jo rrallë herë na shkon dita apo java ters për shkak të gjithë këtyre fjalëve që hyjnë në kokën tonë që në orët e para të mëngjesit. Jo rrallë herë shpërqëndrohemi nga puna, familja apo përgjegjësitë e ditës për shkak të tyre. Jo rrallë herë ndihemi të prekur në një farë mënyre nga lajmet dhe futemi në mendime të thella. Përveç të tjerash, jo rrallë herë nevrikosemi nga qindra reklama apo shkrime boshe për personat e famshëm, lekët, makinat, gratë, burrat, dashnoret apo veshjet e tyre. Dhe së fundmi, jo rrallë here na ik një pjesë e mirë dhe e vlefshme e kohës duke lexuar thatësira pa pikë vlere. Si t’ia bëjmë të mos e lejojmë të ndodhë kjo gjë? Së pari, duhet ta reduktojmë kohën e leximit të lajmet e fundit online dhe t’i heqim gjithë ato njoftime që na vijnë në celular, kompjuter apo tablet nga portale të ndryshme dhe jo vetëm. Mund edhe të zgjedhim të lexojmë gazeta të printuara e jo në internet. Por sigurisht që kjo s’është zgjidhja e vetme. Më e rëndësishmja dhe primarja për të gjithë duhet të jetë burimi nga i lexojmë lajmet e fundit online. Jo të gjitha mediat apo portalet janë serioze dhe si pasojë edhe personat që i kanë shkruar ato që do lexoni mund të mos jenë profesionistë sa duhet. E keqja fare, ndodh që të lexoni edhe gënjeshtra apo ekzagjerime e gjëra koti vetëm për ca klikime e qindarka më tepër. Prandaj medohuni mirë para se të zgjidhni burimin tuaj të informacionit. Vendosni prioritete dhe lexoni vetëm lajmet e fundit online që ju duhen e ju nevojiten ju e komunitetit rreth jush. Së fundmi, përpiquni mos lexoni lajme në mëngjes. E di që koha është e shenjtë dhe ndoshta vetëm sa nis dita keni disa minuta për t’u informuar, por përpiquni të krijoni kohë gjatë ditës ose në mbrëmje sesa në mëngjes. Do ishte mirë sepse në këtë mënyrë edhe nëse do lexonit lajme negative, nuk do ju prishej e gjithë dita për shkak të tyre.