1.5 milionë euro borxhe, Tiranës i bllokojnë sërish llogaritë (E PLOTË)

20 Shtator 2019

Aksionet e klubit Tirana janë bllokuar sërish. Këtë herë nga shtetasi Abedin Treza(Preza), siç njofton Qendra Kombëtare e Biznesit. Në datën 13 shtator 2019, shtetasi Abedin Treza (Preza) ka bllokuar 66 për qind të aksioneve në zotërim të Refik Halilit.

Sipas urdhrit të sekuestros, debitori i detyrohet kreditorit 1.5 milionë euro dhe 25 milionë lekë (të rinj) si dhe interesat për çdo ditë vonesë. Kreditori, Treza, pasi ka fituar gjyqin me vendim të formës së prerë ka kontaktuar një shoqëri përmbarimore për bllokimin e aksioneve në masën 66%. Bllokimi është urdhëruar në datën pesë shtator, por është bërë publik nga Qendra Kombëtare e Biznesit më 13 shtator 2019. Bllokimi i aksioneve të Tiranës është i disati për këtë klub, që këtë sezon e ka nisur mbarë kampionatin dhe shpreson të fitojë titullin kampion.

E KALUARA – Tirana ka një problem të trashëguar prej vitesh për çështjen e borxheve. Për këto probleme nuk është licencuar në Europë. Administrata e klubit bardheblu është munduar që të plotësojë kushtet e licencimeve, edhe pse borxhet kanë qenë të mëdha. Presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili, kohë më parë ka pohuar se është përpjekur të bëjë ekip të mirë dhe likuidime borxhesh.

Në një emision televiziv këtë janar, presidenti i Tiranës pohoi që po ta kishte ditur kështu, nuk do të kishte investuar. “Më vjen keq që të gjithë e dinë se çfarë masakre na u bë ne si klub për të na nxjerrë nga kategoria, në atë vit që nuk harrohet kurrë, ne arritëm të hyjmë në Kupat e Europës.

Arritëm të arkëtojmë rreth 1 miliard e gjysmë lekë të ardhura. Kishte edhe shpenzime sigurisht ku ishin pagesa që duheshin bërë. Ta kisha ditur këtë sulm që më është bërë dhe vazhdon të bëhet, nuk do të kisha bërë këtë investim. Do të kisha mbajtur një ekip sa për të qenë në Superiore dhe do të kisha larë sa më shpejt borxhet. Do të kisha vazhduar të investoja sa më shumë në infrastrukturë”, pohonte Halili në janar. 66 për qind të aksioneve ka aktualisht të tijat Refik Halili. Pritet që shumë shpejt edhe 34 për qind të tjera të dalin në shitje me anë të një ankandi publik. /Panoramasport/

www.balkanweb.com