Alban Bushi tregon planet: Ja bomberat kuqezi në të ardhmen

10 Dhjetor 2018
Alban Bushi tregon planet: Ja bomberat kuqezi në të ardhmen

Nëntori dhe dhjetori janë muajt, në të cilët do të ketë një seleksionim të detajuar të shqiptarëve në vendet fqinje. Në një intervistë për televizionin e shqiptarëve në Athinë, “Tv Tribuna”, trajneri i Kombëtares U-21 ka komentuar edhe ndeshjet e Kombëtares.

GREQIA – Sipas Bushit, në Greqi, cilësia e lojtarëve shqiptarë ka rënë dhe së fundmi kanë furnizuar pak ekipet kombëtare. “Është hera e dytë që vij në Athinë, jo për të luajtur futboll, por për të parë talentet që ka nga Shqipëria. Qëllimi është për të parë sa më shumë lojtarë që përfaqësojnë Shqipërinë. Po bëhet i përvitshëm ky lloj seleksionimi dhe në vitet e fundit kombëtaret e moshave dhe Kombëtarja A nuk është se janë furnizuar me shumë elemente nga Greqia

Ka rënie në cilësi, por sasi ka. Këtë herë, seleksionimi ishte i frytshëm sepse gjetëm katër apo pesë lojtarë që mendoj se do të jenë baza e ekipeve të moshave. Sidomos tek U15, grupmoshë në të cilën kishte lojtarë shumë të mirë. Ne kemi parë rreth 120 lojtarë dhe me anë të skautëve qëndrojmë të informuar vazhdimisht për secilin që bën paraqitje të mira. Në raste të veçanta, vijmë për t’i ndjekur në ndeshje”, është shprehur Bushi.

MUNGESA E GOLAVE – Kombëtaret e moshave kanë pasur mungesë rezultatesh së fundmi dhe një nga shkaqet kryesore është mungesa e golave. “‘Lojtari gol’ i mungon edhe Brazilit. Është e vështirë të gjesh sulmues. Shqipëria po bën lojëra të mira, por nuk po shënon gol, gjë e cila nuk varet vetëm nga sulmuesit, por nga i gjithë ekipi, shkruan Panormasport

Unë mendoj se Bullari që luan në Greqi do të bëhet sulmues shumë i madh. Është lojtar goxha i mirë dhe perspektivë shumë e madhe për Shqipërinë. Por, pa harruar edhe lojtarë si Durmishaj, Vrioni apo Manaj që janë tre lojtarë me moshën 20–22 vjeç dhe që mendoj se do të jenë perspektivë e madhe e Shqipërisë”, ka deklaruar trajneri i Shpresave.

www.balkanweb.com