Allegri zbeh rëndësinë e ndeshjes ndaj Atleticos: Nuk është më e madhja e sezonit, sepse nëse kualifikohemi nuk e kemi fituar Ligën e Kampionëve

11 Mars 2019

Massimiliano Allegri ka thënë se Leonardo Spinazzola dhe Martin Caceres mund të nisin nga minuta e parë në ndeshjen kundër Atletico Madridit, ndërsa ka thënë se nëse kjo “është ndeshja më e madhe e sezonit, atëherë Juve është në telashe”.

Zonja e Vjetër humbi me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë në Wanda Metropolitano, ashtu që të martën mbrëma duhet ta përmbysë këtë rezultat.

“Duhet të luajmë mirë në momente të ndryshme të ndeshjes, ta kuptojmë kur t’i bëjmë disa gjëra dhe kur duhet të veprojmë ndryshe”.

Massimiliano Allegri (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

“Nuk do të konfirmoj e as të mohoj asgjë (sa i përket formacionit). Duhet t’i analizoj gjërat dhe të vendos… Rezultatet e Diego Simeones flasin vet, pasi ka luajtur në dy finale të Ligës së Kampionëve, e ka humbur një në penallti dhe një tjetër ishte duke e fituar deri në momentet e fundit”.

“Është ndeshja e 1/8 së finales, por nëse këtë e quajmë ndeshjen më të madhe të sezonit, atëherë jemi vërtet në telashe”.

“Nëse kualifikohemi, nuk do të thotë se e kemi fituar Ligën e Kampionëve, sepse janë edhe shumë ndeshje të tjera. Duhet të jemi të qetë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka thënë Allegri në konferencën për shtyp. /Telegrafi/

Lexo po ashtu: Të gjitha lajmet nga Juventus

www.telegrafi.com