Altafini: Filmi për Pele plot me gënjeshtra

23 Korrik 2018

Një ditë para përvjetorit të 80-të Jose Altafini, një legjendë e futbollit brazilian por edhe italian, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” flet për jetën dhe karrierën e tij. Duke veçuar dy golat kundër Benfica-s kur luante me Milanin e madh që fitoi Kupën e Kampionëve për herë të parë, italo-braziliani ndalet te Pele, me të cilin ka qenë shok skuadre në Botërorin 1958, para se të ndryshonte kombëtare e të vishte fanellën e kaltër të Italisë.

I pyetur për personazhin e tij në filmin mbi legjendën Pele, Altafini përgjigjet: “Më vjen keq që më njohin më shumë nga ai film. Është plot me gënjeshtra. Është e vërtetë që në fund të fundit film është, por unë aty dal tërësisht ndryshe nga ç’jam në të vërtetë. Aty dalim unë dhe Pele fëmijë, por në të vërtetë e kam njohur vetëm pak ditë para se të niseshim për në Suedi për Kupën e Botës kur ai ishte 17 vjeç dhe unë 19. Jetonim 500 kilometra larg njëri-tjetrit”.

E më pas kujton: “Mua më kanë nxjerrë sikur vija nga një familje e pasur, por ne ishim të varfër, kisha vetëm një bluzë që mamaja ma lante përditë. Para se të niseshim për në Kupën e Botës, mamaja e tij na tha “silluni mirë, jeni më të vegjlit aty”. E vetmja gjë pozitive në atë film është se më interpreton një aktor i bukur meksikan”.

“Brazili i vitit 1958 dukej një skuadër nga Playstation, nuk gabonte pothuajse kurrë, fenomenale”, thotë Altafini, për të cilin diferencat me skuadrën e këtij viti janë shumë të mëdha. “Që në Botërorin e para katër viteve u kuptua që nuk kishim skuadër për të fituar. Këtë herë diçka më mirë, por përsëri mungon cilësia. Ndërsa trajneri duhet konfirmuar, Tite është fitimtar”.

I pyetur për Neymar dhe sjelljen e tij në fushë aq shumë të kritikuar, Altafini ka një ide tjetër. “Të gjithë flasin për skenat e tij, por në 10 faulla, 8 janë të vërtetë. Ka pasur edhe ekzagjerime dhe kjo e kushtëzoi me Belgjikën. Nuk kërkoi penallti edhe atëherë kur ishte. Por do t’i bëhet mësim, duhet të kuptojë që duhet të tregohet më i përulur”./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.