Analiza/ Asambleja e “turpit”, Hënes vërshëllehet dhe fyhet nga tifozët e Bajernit

07 Dhjetor 2018

Nervozizëm, zemërim dhe zhgënjim. Ajo e mbrëmjes së të premtes ishte një Asamble e Përgjithshme Vjetore më e nxehta e viteve të fundit në shtëpinë e Bajernit të Mynihut.

Dhe ato që ndezën gjakrat nuk ishin vetëm rezultatet e dobëta të skuadrës (aktualisht në vend të tretë, por me një ndeshje më shumë se Gladbahu, Frankfurti dhe Lajpcigu), por edhe sjelljet e drejtuesve të klubit, që në javët e fundit thërritën një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp për të sulmuar mediat dhe ish-lojtarët dhe më pas vendosën që të përjashtojnë Pol Brajtnerin (një nga legjendat e klubit) nga tribuna e nderit.

Megjithëse prezentë në sallë ishin vetëm 1.682 anëtarë nga 291 mijë në total, atmosfera ishte e tensionuar, aq sa në fund të mbrëmjes presidenti Uli Hënes pranoi se ishte thellësisht i prekur nga ajo që kishte ndodhur. Përveç vërshëllimave, presidenti bavarez u fye edhe rëndë.

POLEMIKAT – Një prej anëtarëve të klubit, tifozi Johanes Bahmajër, kritikoi Hënesin pikërisht për vendimin për t’i ndaluar hyrjen Pol Brajtnerit në tribunën e nderit: “Një legjendë nuk mund të përjashtohet. Ky zoti Hënes nuk e ka stadiumin e tij. Braitner vetëm shprehu mendimin e tij”. Hënes u mbrojt, por shpjegimet e tij nuk u pëlqyen: “Në lajm kishte aq shumë pasaktësi, sa do të duheshin orë për të shpjeguar gjithçka. Mbi këto baza unë nuk diskutoj”. Ishte kjo deklaratë që i shtyu disa prej të pranishmëve në sallë që të ulërinin fjalët “frikacak” dhe “gënjeshtar”.

“Nuk dua të them më asgjë në lidhje me këtë temë. Unë jam krisur me Pol Brajtnerin pas daljes sime nga burgu dhe kjo është e gjitha për mua”, tha 66- vjeçari pas Asamblesë në lidhje me prishjen me një prej miqve të tij më të ngushtë, me të cilin fitoi Botërorin e 1974-ës, përveç shumë sukseseve me Bajernin.

Gjatë javëve të fundit, Hënes dhe Karl-Hainc Rumenige (aktualisht administratori i deleguar i klubit) kanë konfirmuar disa herë se organika e klubit është e destinuar që të ndryshojë nga sot në vitet e ardhshme. Kontrata e Rumeniges skadon në fund të sezonit, edhe pse Hënes tha se shpreson gjetjen e gjuhës së përbashkët për rinovimin edhe për dy vite të tjera:

“Përpara Krishtlindjeve do të marrim një vendim për këtë gjë”, shpjegoi presidenti. “Jam i bindur se ai do të rinovojë deri në vitin 2021. Do të isha shumë, shumë i kënaqur”. Gjithnjë e më e fortë bëhet kandidatura e Oliver Kahnit: ish-portieri mund të bëhet pjesë e klubit, duke marrë edhe rolin e Hënesit si president. Për momentin kjo është një hipotezë, por që klubi po e merr seriozisht në shqyrtim. “Mund t’iu siguroj se Kahn është prezent në refleksionet tona. Por nuk është një temë për sot apo nesër, por për 6-12 muajt e ardhshëm”, shpjegoi Hënes.

E ARDHMJA – Në fund u diskutua edhe merkatoja. Verën e shkuar, Bajerni nuk shpenzoi as një euro (Gorecka erdhi me parametër zero, ndërsa Gnabri u rikthye nga huazimi te Hofenhaimi), gabim që duke parë rezultatet e aktuale, klubi nuk dëshiron më të komentojë.

“Klubi dhe bordi supervizor kanë vendosur në takimin e fundit që në verën e ardhshme do të investohen shuma të mëdha në merkato”, premtoi presidenti, i ndërgjegjshëm që skuadra ka nevojë për një ndryshim brezash. Sa i përket drejtimit teknik, Hënes rikonfirmoi besimin e tij te Niko Kovaç:

“Mendoj se kemi marrë një trajner të ri dhe të zotë. Ai e meritoi mundësinë për të qenë këtu. Duhet ta mbështesim të gjithë bashkë. Pas bisedave të fundit jam i bindur se është arritur në një pikë të përbashkët mes skuadrës dhe trajnerit”. Garancitë për kroatin u përsëritën edhe nga Rumenige.

“Dëshira jonë është që të punojmë me Kovaçin për disa vite. Ai e njeh mirë Bajernin dhe ka një karakter fitues, është tipi i trajnerit që më pëlqen mua. Më pëlqen kur shoh një trajner që gati sa nuk hyn në fushë për të ndryshuar gjërat dhe Niko e bën këtë. Do t’i japim një shans të dytë, por sigurisht edhe rezultatet duhen parë.

Vendi i pestë në fund të sezonit është absolutisht i papranueshëm”. Nga ana tjetër, pa një kompromis, Bajerni vështirë se mund të dalë nga kjo situatë delikate në klasifikim. Me nervozizëm, zemërim dhe zhgënjim, ajo veçse mund të shtohet. Edhe jashtë fushe.

www.panorama.com

ulaş utku bozdoğan
ulaş utku bozdoğan astrolog
ulaş utku bozdoğan