“Na mungon egërsia konkurruese”. Samir Handanoviç, kapiten i Interit, ndoshta gjeti në mënyrë perfekte problemin e skuadrës së Antonio Kontes pas humbjes së dhimbshme në Ligën e Kampionëve në Madrid kundër Realit. Edhe një tjetër herë, siç ndodhi në derbi, në Kiev apo Parma, zikaltrit krijuan shumë dhe shpërdoruan thuajse gjithçka e më pas u ndëshkuan nga disa pakujdesi, naivitete. “Duhet të punojmë mbi detajet – u shpreh Antonio Konte pas sfidës.
PËRSE JO KOLAROV – Detaje që mund t’i përkasin gabimeve individuale si ai i Hakimit të martën, i Lautaros me portën bosh kundër Shahtjorit, faulli për penallti i Kolarovit në derbi; apo gabimet në skuadër, në pozicionim, siç ndodhi në “Valdebebas”, ku zikaltrit pësuan golin e tretë në kundërsulm në momentin e tyre më të mirë. Duke u ndalur tek ish-kapiteni i Romës, në fundin e ndeshjes ndaj madrilenëve ndoshta do të ishte nevojitur të aktivizohej, për të shfrytëzuar këmbën e tij në goditjet nga këndi dhe ato të dënimit, por Konte e la në stol. Detajet që vendosin një ndeshje mund të kalojnë edhe nga zgjedhjet e stolit. Ndoshta edhe cilësia e Eriksenit do të kishte ndihmuar ndaj “Galaktikëve”, por ish-mesfushori i Totenhemit vazhdon të mbetet një rebus dhe Konte në momentet vendimtare “nuk e sheh”.
MBROJTJA – Me siguri rezultatet kalojnë shpesh nga paraqitjet e mbrojtjes, vitin e kaluar pikë force e zikaltërve ndërsa këtë vit “thembra e Akilit” e skuadrës së Kontes, që deri tani ka pësuar dhjetë gola më shumë se sezonin e kaluar. Në Madrid u ndje tepër mungesa e Lukakut, por paraqitjet e mira të Lautaros dhe Perisiçit, të dy shënues, kanë nxjerrë në pah edhe një herë se si problemet janë në zona të tjera të fushës.
PAUZA – Asnjëherë si këtë radhë pauza (edhe pse shumë lojtarë do të largohen me kombëtaret) vjen në momentin e duhur për Interin, që pas transfertës së Bergamos mund të mbledhë forcat dhe të rigjejë vëmendjen e duhur për të kuruar gjithë ato detaje që po ndikojnë negativisht në terma rezultatesh. Rruga për në 1/8-at e Champions-it tani është në malore, por asgjë nuk është e vendosur, pavarësisht nga rezultati në Milano me Realin: duke regjistruar gjashtë pikë me Gladbah dhe Shahtjorin, në fakt, zikaltrit mund të kalonin fazën.
PANORAMASPORT.AL
www.panorama.com