Arsenal ”i lehtë”, por Agolli dhe Qarabag nuk e përballojnë dot (VIDEO)

Arsenal ”i lehtë”, por Agolli dhe Qarabag nuk e përballojnë dot (VIDEO)

Arsenal mundi 3-0 Qarabag të Ansi Agollit, duke kryesuar grupin E të Europa League pas raundit të dytë të ndeshjeve. Veterani i kombëtares shqiptare luajti për 90 minuta në takimin e zhvilluar në Azerbajxhan, por “Topçinjtë” u imponuan falë cilësisë më të madhe në skuadër, edhe pse Unay Emeri kishte zbritur në fushë me një formacion të mbushur me rezerva.

Londinezët shënuan golin e parë që në minutën e katërt, kur Sokratis u gjet pak centimetra larg portës duke devijuar një gjuajtje drejt e në rrjetë. Miqtë e kontrolluan lojën për disa minuta pas shënimit të golit, por më pas Qarabag fitoi besim dhe iu afrua zonës së Bernd Lenos me kalimin e kohës. Skuadra azere pati tre raste të mira në pjesën e parë, më të pastrin prej tyre pesë minuta nga fundi, kur Filip Ozobic u gjend përballë Lenos por nuk arriti të kalonte portierin gjerman që e grushtoi topin në goditje këndi.

Me nisjen e pjesës së dytë Qarabag arriti më në fund të shënonte me Madatov, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në të 53’ Emile Smith-Rowe shënoi golin e dytë për Arsenal me një gjuajtje të saktë pas asistit të Iwobit, ndërsa Leno bëri një tjetër pritje të rëndësishme disa minuta më vonë për të mos lënë azerët të rihapnin lojën.

Në fund Emery futi në lojë edhe “peshat e rënda” Ozil e Laccazette dhe prej këmbëve të këtij të fundit erdhi edhe goli i tretë që vulosi fitoren e londinezëve. Sulmuesi francez nxori krejtësisht të vetëm Matteo Guendouzi me një pasim të shkëlqyer dhe mesfushori nuk e pati të vështirë të kalonte topin pas shpinës së portierit brazilian Wagner./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.