Bajerni dhe Levandovski, “ujqërit” e Bundesligës. Polaku shënon më shumë se Mesi e CR7

25 Maj 2020

Nuk kishte se si të ishte ndryshe, por tashmë ka një konstante konkrete që bashkon të tashmen me të shkuarën, atë periudhë përpara dhe post-Koronavirusit: Bajerni i Mynihut dominon Bundesligën! Bavarezët, jo vetëm që kanë urinë e përhershme, por tashmë shënojnë edhe më shumë sesa normalja. Dhe meritë për këtë ka pa dyshim Hansi Flik. 

Arsyen e tregojnë shifrat që saktësojnë se asnjëherë në historinë e këtij klubi madhështor, me asnjë trajner në stol, Bajerni nuk kishte arritur që të shënonte 55 gola në 17 javë (e vetmja amnezi e Flikut është barazimi 0-0 me Lajpcigun).

Por sikur të mos mjaftonte kjo dhe ndërsa skuadra nga Mynihu vazhdon që të jetë në gjueti të rekordeve të golave në një kampionat, ekziston edhe një statistikë që fut përpara kohe në kasafortë titullin kampion: sa herë që Bajerni ka kryesuar Bundesligën me 4 apo më shumë pikë avantazh nga ndjekësja më e afërt, kur kanë mbetur 7 javë nga fundi i saj, bavarezët e kanë fituar gjithmonë titullin kampion.

Numrat Me pesë golat e realizuar ditën e shtunë, Bajerni i Mynihut kapi kuotën e 80 realizimeve në kampionat, një rekord absolut për këtë skuadër në 27 javë të luajtura, por ndërkohë në shënjestër është vënë një tjetër rekord. Kur kanë mbetur 7 javë nga fundi, nëse “armata” e trajnerit Hansi Flik arrin që të shënojë edhe 21 gola të tjerë, ata mund të barazojnë rekordin e 101 golave të arritur në sezonin 1971-1972, hera e parë dhe e vetme në historinë e Bundesligës që një klub ka arritur të kalojë kuotën 100.

Me një llogari të thjeshtë, Bajernit do t’i duhej që të realizonte 3 gola për ndeshje, shumë në plan të parë, por shumë pak duke menduar për numrat që po regjistron ekipi nën drejtimin e Flikut. Sepse nga nëntori 2010, e deri të shtunën  që lamë pas, bavarezët kanë patur një mesatare prej 3.23 golash për ndeshje, një trend që nëse ruhet, jo vetëm kuota rekord prej 101 golash do të kapet, por ajo mund të kalohet me shumë lehtësi.

Leva dhe Myler, mbretër Me golin e kësaj fundjave, Robert Levandovski është ngjitur në kuotën e 27 golave në kampionat dhe nga rekordi i 40 realizimeve në një sezon të vetëm të Bundesligës, arritur nga Gerd Myler, distanca është e largët, por jo e pamundur për një bomber si polaku. Për momentin, “Leva” kap në krye të renditjes për “Këpucën e Artë” Çiro Imobilen e Lacios, kryegolashënuesin e Serisë A, ndonëse italiani kundrejt bavarezit, në rast se kampionati rinis, do të ketë edhe 12 ndeshje në sezon për të kërkuar trofeun personal europian, ndërsa Levandovskit i mbeten ende 7 ndeshje në dispozicion. Por akoma më shumë se kaq, Robert Levandovski është gjithashtu bomberi më i mirë i Europës në pesë sezonet e fundit.

Numri 9 i bavarezëve numëron 241 gola në 5 vitet e fundit (gjithmonë mbi 40 gola në total), duke lënë pas Lionel Mesin e Barcelonës me 233 realizime dhe Kristiano Ronaldon e Juventusit me 231 gola. Më mirë se kaq… Por nën drejtimin e Hansit Flikut në Mynih, një futbollist që ka rilindur është Tomas Myler.

Gjermani, nga sezoni 2015- 2016 (më i miri i karrierës së tij) e në vazhdim ka ardhur gjithmonë në rënie, derisa Bajerni nuk vendosi që të shkarkojë Niko Kovaçin, periudhë gjatë së cilës ai humbi jo vetëm titullaritetin me bavarezët, por edhe Kombëtaren gjermane. Por në 17 ndeshjet me Flikun, Myler ka shënuar 7 gola dhe ka shërbyer 17 asiste (200 në total në karrierë në ndeshje zyrtare me Bajernin). Shkurt, edhe Tomasi ka rigjetur urinë e duhur, atë ndjesi që Bajernit nuk i mungon kurrë, madje as post-Koronavirusit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com