Bajerni përgatit rikthimin e bujshëm, Flik telefonon sulmuesin gjerman

24 Shtator 2020

Trajneri i Bajernit të Myniut, Hansi Flik, kërkon të forcojë më shumë skuadrën e tij. Emri i ri që qarkulloi dje në mediat gjermane nuk është i panjohur për publikun gjerman.

Bëhet fjalë për Mario Gëcen, heroin e Botërorit “Brazil 2014” me golin e shënuar në kohën shtesë në finalen ndaj Argjentinës. Gëce është larguar në fund të sezonit nga Borusia e Dortmundit dhe është ende në kërkim të një skuadre. “Bild” shkruan se Hansi Flik ka telefonuar personalisht lojtarin për ta bindur që të vijë te bavarezët për sezonin që sapo ka nisur. 28-vjeçari duket se është gati të rikthehet në Mynih pas disa vitesh jo të mira me verdhezinjtë, nga të cilët u largua në 2013-ën pikërisht për bavarezët.

Vetë Hansi Flik tha në konferencën për shtyp në prag të finales së Superkupës se e njihte dhe pëlqente Marion që nga koha kur ky luante për kombëtaren e Gjermanisë. Gëce në një intervistë pak ditë më parë me mediat gjermane pranoi se kishte si qëllim të fitonte Champions-in në të ardhmen. Dhe ku më mirë mund ta bëjë ai këtë gjë se te kampionët në fuqi.

Gëce do të vinte falas dhe në një kohë të vështirë pandemie do të ishte një transferim i bujshëm. Aty Mario mund të nisë të shkëlqejë sërish pasi të gjejë sërish shkëlqimin e tij të humbur. Një talent i padiskutueshëm, Gëce është gati të pranojë ndoshta sfidën e fundit të karrierës së tij para se të largohet nga futbolli, edhe pse për shumë gjermanë ai ka hyrë në librat e historisë falë golit në finalen e Kupës së Botës.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com