Barcelona fiton raundin e parë, Interi i pafuqishëm (VIDEO)

24 Tetor 2018

Barcelona mundi 2-0 Interin duke kaluar e vetme në krye të grupit B të Champions League, pas një ndeshjeje të bukur, ku katalanasit ishin superiorë. Rafinha dhe Alba shënuan në secilën pjesë për të siguruar pikët e plota.

Barcelona rrezikoi e para me anë të Clement Lenglet, i cili kërceu mbi të gjithë me kokë në të 18’ dhe vë në provë serioze Handanovic që u përgjigj duke treguar se reflekset nuk i mungojnë. Kapiten Icardi, euforik pas golit të fitores në derbi, provoi të driblojë mbrojtësit kundërshtarë për t’u afruar drejt portës së Ter Stegen por nuk i kaloi dot të gjithë dhe aksioni i tij u ndërpre pa sukses.

Por në të 28’ Rafinha pati rastin e parë të rrezikshëm pasi u shfaq i pamarkuar në zonë, duke detyruar Handanovic të bënte një pritje fantastike për t’i mohuar golin. Nuk do të kishte të njëjtin fat portieri zikaltër katër minuta më pas kur braziliani u shërbye në mënyrë të përkryer nga Luis Suarez dhe me prekjen e parë të topit e dërgoi atë në rrjetë duke kaluar katalanasit në epërsi. Dhjetë mintua më vonë Vecino kishte një mundësi të mirë për të barazuar rezultatin, por edhe pse Ter Stegen dukej i mundur, topi përfundoi mbi traversë.

Interi zbriti në fushë në pjesën e dytë me idenë për të gjetur golin e barazimit dhe vetëm pesë minuta pas fillimit Politano testoi aftësitë e Ter Stegen me gjermanin në gatishmëri. Italiani provoi sërish dy minuta më pas, por nuk është me fat.

Me shokët e skuadrës që mendonin për sulmin, Handanovic bëri dy herë mrekullinë duke i mohuar Barcelonës golin e dytë. Fillimisht slloveni grushtoi një gjuajtje të fortë të Suarez i cili më parë kishte “vallëzuar” mes mbrojtësve kundërshtarë. Më pas i duhet të bëjë sërish llogaritë me Lenglet i cili përsëri me kokë detyron portierin internist të tregojë edhe një herë më të mirën e vet. Por Barcelona tashmë e dominonte lojën, me Interin që bëri vetëm një gjuajtje në kuadrat, ndërsa në të 71’ Philippe Coutinho goditi edhe shtyllën me Handanovic të mundur.

Spalletti rrezikoi gjithçka duke nxjerrë Borja Valeron për t’i dhënë një mundësi Lautaro Martinezit. Argjentinasi shënon emrin në listën e rasteve për gol në të 79’, por mund të kishte bërë shumë më mirë se kaq, duke shpërdoruar një mundësi të mirë për të barazuar.

Shtatë minuta nga fundi Barcelona shënoi edhe golin e dytë që mbylli llogaritë e “raundit të parë” të sfidës së dyfishtë. Rakitic pasoni bukur për Jordi Alban, i cili ruan gjakftohtësinë në zonë dhe goditi saktë.

Fitore e merituar për katalanasit, ndërsa Interi duhet të organizohet për sfidën e kthimit në Milano, në mënyrë që të mos përsëritet i njëjti rezultat./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.