Basket/ Olta Xhaçka nderon 5 figura të shquara të Partizanit (foto)

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
18 Nëntor 2017 14:58
Basket/ Olta Xhaçka nderon 5 figura të shquara të Partizanit (foto)

Mes entuziazmit dhe masivitetit u zhvillua në Parkun Olimpik të Tiranës, në sallën sportive “Fetih Borova”, një aktivitet kushtuar basketbollistëve më të mirë të Partizanit në 7 dekadat e fundit. Shumë figura të shquara të sportit dhe jo vetëm, ishin prezent në këtë ceremoni mjaft interesante.

Naim Pilku pas vdekjes, Njazi Lleshi, Qemal Shalsi, Muhamet Përmeti dhe Astrit Greva, u nderuan me çertifikatë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes për kontributin e shquar që këto figura të mëdha të Partizanit kanë dhënë për këtë klub duke edukuar shumë breza, e njëkohësisht duke ngritur lartë emrin e madh të Partizanit.

Një aktivitet i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, nën kujdesin e veçantë të ministres Olta Xhaçka, e cila në fjalën e saj vlerësoi basketbollistët për kontributin e madh që kanë dhënë për këtë sport, duke edukuar e injektuar tek të rinjtë dashurinë për sportin, atdheunë, ku shumë prej tyre u bën kuadro në jetë.

“Jam shumë e re për të mbajtur mend këto personalitet, që kanë entuziazmuar mijëra tifozë në çdo vend të Shqipërisë. Sot janë bërë bashkë disa personazhe shumë të dashur për publikun shqiptar. Janë ata që për 7 dekada kanë entuziazmuar me mijëra e mijëra sportdashës jo vetëm në sallat sportive në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Ti kujtojmë sa janë gjallë për ta marrë edhe ata kënaqësin e kontributit që kanë dhënë. Na rikujtojnë ato ditë të lavdishme që sporti kishte vite më parë, dhe duhet t’i ketë edhe sot. Sporti përcjell vetëm mesazhe pozitive, edhe sot na bashkoi në një aktivitet shumë interesant”, tha Xhaçka.

Aktiviteti nisi me një ndeshje basketbolli mes të rinjsh, më pas festa vazhdoi me një grup fëmijësh të asamblit që kërcyen një kolazh me këngë popullore qytetare tiranase.

Një legjendë e gjallë e Partizanit, Muhamet Përmeti u shpreh për eduasportin.com se është një kënaqësi e madhe për të, që nderohet me këtë çmim.

“Jam shumë i kënaqur, ndihem i vlerësuar për kontributin që kam dhënë. Sportisit të shkëlqyer si unë, Partizani ka patur shumë dhe uroj ta marrin edhe ata këtë çmim simbolik. Partizani ka qenë një ekip i shkëlqyer, në saj të kujdesit të Ministrisë së Mbrojtjes, shpresoj që sërish të jetë nën kujdesin e saj”, tha Përmeti.

Një tjetër figurë e shquar e Partizanit, Gazmend Çaçi, u shpreh se është gjithmonë i gatshëm për aktivitet të tilla. “Sporti është jetë, por mua personalisht nuk më pëlqen kur përfshihet politika. Ne çunat e basketbollit jemi gjithmonë të gatshëm të bashkohemi dhe të luajmë për të kujtuar ato momente që kemi kaluar në parket”.

Më pas aktiviteti kulmoi me një ndeshje 20 minutëshe mes ekipit të Partizanit dhe kombëtares shqiptare, e cila përfundoi me fitoren e “Demave” 29-26. Edhe pse të vjetër në moshë, nuk munguan koshat e bukur dhe nervat e lojës me Çaçin që hera herës kritikoi arbitrin e ndeshjes.