Bayern ”djersin” por e zgjidh për dy minuta kundër AEK / VIDEO

23 Tetor 2018

Bayern Munchen nuk kishte humbur kurrë kundër një skuadre greke në kompeticionet europiane dhe këtë të martë në mbrëmje në Athinë sigloi fitoren e tetë, duke mundur 2-0 AEK në fazën e grupeve të Champions League.

Dy gola brenda dy minutave nga Javi Martinez dhe Robert Lewandowski i mjaftuan skuadrës gjermane që të merrte fitoren e dytë në grup kur janë luajtur gjysma e ndeshjeve. Megjithatë ndeshja nuk qe e lehtë për t’u zhbllokuar për Bayern dhe u deshën të kalonin 61 minuta që të vinte goli i avantazhit. Hummels pasoi saktë për Robben por gjuajtja e holandezit u bllokua me topin që përfundoi në këmbët e Martinez i cili nuk e pati të vështirë ta dërgonte në rrjetë.

Dy minuta më vonë Bayern vulosi fitoren pasi mbrojtja e AEK u shpërbë përballë pasimeve të shpejta dhe të sakta të kampionëve gjermanë. Në fund Rafinha pasoi te Lewandowski i cili tërësisht i pa markuar shty topin në rrjetë nga fare pranë.

Një shpërblim i merituar për Bayern që në pjesën e parë punoi shumë për të shënuar, por u detyrua të priste për shkak edhe të impenjimit të vendasve që nuk donin kurrsesi të pësonin humbjen e tretë rresht./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.