Bayern pa ide kundër Ajax, Neuer bën shpëtimtarin (VIDEO)

Bayern Munchen nuk mori dot më shumë se një barazim kundër Ajax Amsterdam, në ndeshjen e dytë të grupit E të Champions League. Skuadra e Niko Kovac e nisi ndeshjen me shumë entuziazëm, duke shënuar shpejt, por me kalimin e minutave Ajax e mori veten dhe pas barazimit pati edhe mundësi për të përmbysur ndeshjen.

Arjen Robben e nisi duke bërë atë që të di të bëjë më mirë. Që në minutën e tretë holandezi zbriti me shpejtësi në krah dhe me të majtën e tij provoi të shënonte, por portieri i Ajax Andre Onana bëri një pritje spektakolare. Një minutë më vonë erdhi edhe goli për bavarezët kur Robben vendosi të krosonte në zonë dhe Mats hummels kërceu më shumë së të gjithë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.

Ajax nuk e uli ritmin dhe iu afrua golit me Hakim Ziyech në minutën e 20, por Neuer bëri një pritje të shkëlqyer. Dy minuta më vonë do të vinte edhe goli për holandezët. Dusan Tadic pasoi bukur për të Noussair Mazraoui në zonë dhe sulmuesi nuk gaboi duke mundur portierin gjerman.

Lewandowski pati mundësinë më të mirë për Bayern për t’u rikthyer në avantazh në pjesnë e parë, por polaku nuk mundi të kalonte Onanan, ndërsa Ziyech në anën tjetër vuri në provë Neuer në përfundim të 45 minutave të para, por pa sukses.

Bayern provoi të rriste nivelin e lojës në pjesën e dytë, por Ajax u tregua në lartësinë e situatës duke u treguar edhe superiore në disa momente. Alcantara dhe James Rodriguez (i futur në pjesën e dytë në vend të Robben) patën dy raste të mira për të shënuar golin e dytë për të zotët e shtëpisë, por nuk u treguan të saktë. Ndërsa Van de Beek goditi jashtë nga fare pak metra larg portës së Neuer për të shpërdoruar kështu një mundësi të mirë për holandezët.

Në fund Lasse Schone ekzekutoi një goditje dënimi të shkëlqyer, që detyroi Neuer të bënte mrekullinë, duke devijuar për në traversë topin.

Barazimi kalon Ajax në vend të parë në renditje, me 4 pikë, po aq sa Bayern, por me diferencë më të madhe golash./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.