Pas tri ndeshjesh pa fitore në kampionat, Bayern Munchen ka mundur të sigurojë tri pikët në sfidën e kësaj të shtune në fushën e Wolfsburg, duke u imponuar për 3-1 falë dy golave nga Robert Lewandowski dhe një nga James Rodriguez.
Sulmuesi polak kaloi në avantazh të tijtë në minutën e 30 kur një pasim i gjatë i Mats Hummels kaloi gjithë fushën kundërshtare dhe mbërriti në këmbët e tij, duke mos gabuar përballë portierit vendas. Numri 9 dyfishoi epërsinë e bavarezëve në fillim të pjesës së dytë kur një top i kthyer mbrapa nga mbrojtja e Wolfsburg përfundoi në këmbët e tij dhe nuk e pati aspak të vështirë ta shtynte topin në rrjetë.
Gjërat u ndërlikuan pak për Bayern kur në harkun e pak minutave në mesin e pjesës së dytë Arjen Robben u largua para kohe nga fusha pas dy kartonësh të verdhë, por në fund mendoi Rodriguez që të vuloste fitoren pasi mori një top fantastik nga Lewandowski për të mos gabuar i vetëm përballë portierit.
Fitorja e ngjit Bayern përkohësisht në vend të dytë, në pritje të rezultateve të ditës së diel, ndërsa Borussia Dortmund ruajti vendin e parë duke shkatërruar 4-0 Stuttgart në fushën e kësaj të fundit. Verdhezinjtë kaluan në epërsi që në të 3’ me anë të Sanchos, e më pas Marco Reus dhe Paco praktikisht mbyllën llogaritë pa kaluar ende gjysmë ore lojë.
Sulmuesi spanjoll i huazuar nga Barcelona vazhdon të befasojë të gjithë duke kryesuar edhe listën e golashënuesve të kampionatit gjerman me 7 gola, po aq sa Jovic i Frankfurt. Pesë minuta nga fundi, Philipp shënoi edhe golin e katërt për miqtë, duke gjuajtur bukur nga jashtë zonës./EDS/