Bayerni mund të mbetet me 15 futbollistë, Kovac kërkon urgjentisht përforcime të reja

27 Qershor 2019

Niko Kovac ka folur për revistën gjermane “Kicker” rreth afatit kalimtar të verës së skuadrës së Bayern Munichut.

Trajneri kroati vuri në dukje se ekipi ka nevojë për disa përforcime. Ai u përpoq të ishte aq i saktë sa ka treguar se bavarezëve iu duhen katër lojtarë për të mbushur kuadrin.

“Kemi nevojë për katër futbollistë të tjerë”, tha Kovac gjersa presidenti i Bayernit, Uli Hoeness iu përgjigj shpejt duke pohuar se “gjithçka do të jetë gati deri në fund të korrikut”.

Leroy Sane (Foto: GettyImages/Guliver)

“Me vetëm 17 lojtarë nuk mund të startojmë, kemi nevojë për të paktën 19”, tha strategu, i cili është i vetëdijshëm se pas largimit të mundshëm të Jerome Boatengut si dhe Renato Sanchezit, numri i lojtarëve do të reduktohet në vetëm 15 futbollistë.

Edhe pse Leroy Sane duket i pakënaqur me Manchester Cityn, bavarezët nuk janë të sigurt nëse mund të përmbushin kërkesat prej 100 milionë eurove të anglezëve.

Ndryshe, si alternativa të tjera janë edhe Ousmane Dembele i Barcelonës si dhe Steven Bergwijn i PSV-së. Opsionet, pra, ekzistojnë, por gjithçka është ende larg marrëveshjeve me klubet dhe lojtarët. /Telegrafi/

www.telegrafi.com