Besohet se Skomina do ta referojë finalen në mes të Tottenhamit dhe Liverpoolit

14 Maj 2019

Është konfirmuar gjyqtari që do ta ndajë drejtësinë në finale të Ligës së Kampionëve në mes të Tottenham Hotspurit dhe Liverpoolit që zhvillohet më 1 qershor në Madrid.

Damir Skomina do të jetë njeriu që do të jetë në mes të kësaj përballje gjigante, sipas Daily Mirror dhe është gjyqtari që ka qenë pjesë e ndeshjeve të mëdha në këtë sezon.

Slloveni ishte vënë në krye të përballjes që e zhvilloi Liverpooli në fazën e grupeve me Napolin, por momenti i tij më i rëndësishëm ishte përmbysja e Manchester United ndaj Paris Saint-Germainit.

Damir Skomina (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Në ndeshjen e dytë që u zhvillua në mes të skuadrës angleze dhe asaj parisien në ‘Parkun e Princave’, Skomina kishte akorduar penallti, pas prekjes me dorë nga lojtari i këtyre të fundit, për tu konsultuar më vonë me VAR-in.

Ai ishte momenti më kontrovers i ndeshjes, pasi shumë persona, përfshirë këtu edhe Neymarin, ishin të acaruar me atë vendim, e që golin e fitores e shënoi Marcus Rashford, për ta kaluar Unitedin tutje.

Lexo po ashtu: Të gjitha lajmet nga Liga e Kampionëve

Natyrisht se Liverpool dhe Tottenham do të shpresojnë që mos të jenë viktimë e këtyre vendimeve kontroverse, pasi që të dyja kanë hasur në shumë vështirësi që të shkojnë në Madrid. /Telegrafi/

www.telegrafi.com