‘Bestia Negra’ bëhet mik? Çfarë e lidh Kahn-in me Real Madrid-in?

Nga një prej armiqve të betuar të Real Madrid në fushën e blertë, legjenda gjermane e portës shndërrohet në një bashkëpunëtor të klubit spanjoll. Duket e pabesueshme por po ndodh vërtet. Fondacioni i portierëve “Goalplay” në pronësi të ish-portierit të Bayern Munchen ka firmosur një kontratë bashkëpunimi me Fondacionin e Real Madrid, për të organizuar disa kampe trajneri në Gjermani që do të ndihmonin në zbulimin e talenteve të reja në portë, për të cilët do të ketë prioritet pikërisht Real Madrid.

Qendrat stërvitore do të ngrihen në Gjermani, Austri dhe Zvicër dhe në të do të mund të marrin pjesë fëmijë të grupmoshës 7-14 vjeç. “Nga bashkëpunimi me Oliver Kahn presim që të zgjerojmë edhe më shumë konceptet tona mbi stërvitjen e portierëve”, deklaroi për mediet gjermane Stefan Kohfahl, një prej përfaqësuesve të Fondacionit Real Madrid në Gjermani.

Kahn dhe Real Madrid kanë një histori të veçantë bashkë, pasi me Titanin në portë, Bayern u shndërrua në një makth të vërtetë për klubin spanjoll në përballjet evropiane të fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000. Skuadra gjermane u cilësua në atë periudhë si “Bestia Negra” ose “mace e zezë” për Realin, sidomos pas fitores së Bayern 4-2 në “Bernabeu” në 29 shkurt 2000, ku pritjet e tij ishin vërtet fantastike. Por edhe sjellja e tij agresive dhe duelet verbale me Raul kanë mbetur gjatë në mendjen e tifozerisë madrilene.

Edhe tani që është 48 vjeç dhe është tërhequr nga futbolli i luajtur, portieri gjerman ka thumbuar disa herë lojtarët e Realit në rolin e komentatorit sportiv. Por kjo nuk i pengoi palët që të nisnin kontaktet vitin e kaluar, kurn vetë Kahn vizitoi qendrën stërvitore të Realit në tetor, i shoqëruar nga Roberto Carlos. 7 muaj më pas, kontrata është firmosur./EDS/