Blerja e fundit hap probleme te Barcelona, duhet urgjentisht një zgjidhje

Blerja e fundit hap probleme te Barcelona, duhet urgjentisht një zgjidhje

Barcelona zyrtarizoi të dielën transferimin e Arthur Henrique Ramos de Oliveira Melo nga ekipi brazilian i Gremios i Porto Alegres. Klubi brazilian bëri të ditur detajet e kontratës, dhe sipas asaj që bëhet e ditur Arthur do të qëndrojë në Brazil deri në fund të vitit 2018. Kjo do të thotë, Arthur do të bashkohet me skuadrën blaugrana në fillim të vitit 2019, edhe pse kontrata e tij zyrtarizohet në verën e vitit 2018.

Me ardhjen e tij, klubi do të ketë katër lojtarë të huaj dhe duhet të përshpejtojë procesin e nacionalizimit të Coutinho-s, i cili me anë të gruas së tij mund të sigurojë pasaportën portugeze këtë verë. Ky do të ishte opsioni i preferuar nga Barça, përndryshe, Yerri Mina mund të jetë i sakrifikuari. E ardhmja e kolumbianit tek klubi blaugrana mund të jetë në rrezik, pasi është lojtari më pak i preferuar nga Valverde. Paulinho dhe Coutinho janë të paprekshëm në këtë moment. Një opsion tjetër do të ishte që Arthur të qëndronte edhe një vit tjetër i huazuar në Brazil.

Arthur, 21 vjeç, nuk është grumbulluar nga trajneri i kombëtares braziliane, Tite për miqësoret e këtij muaji kundër Rusisë dhe Gjermanisë. Megjithatë, prania e tij në Kupën e Botës nuk është në diskutim. Ai u shpall lojtari më i mirë në kupën Libertadores. Pozicioni natyral i tij është mesfushor krahu dhe disa e krahasojnë me Xavi Hernández ose Iniesta. Mesfushori do të transferohet tek Blaugranasit për shifrën 30 milionë euro. /EDS/