Bllokimi i merkaton nga FIFA dhe “çështja” Seferi, Osmani i bindur: Projekti vazhdon!

08 Janar 2021

Drejtori Sportiv i Tiranës, Tefik Osmani doli përpara mediave për të sqaruar dy çështje të nxehta, bllokimi i merkatos nga FIFA dhe rrjedhimisht transferimi i Taulant Seferit në kryeqytetet. Osmani shprehet i bindur se bardheblutë do të mund të operojnë në merkato ndërsa blerja e parë, ashtu siç është paralajmëruar pak ditë më parë, do të jetë sulmuesi i Kombëtares:

“Disa nga mediat e kanë nisur keq këtë situatë. Dikush ka thënë që janë paga, nuk mendoj se janë paga të prapambetura. Jemi viktimë në këtë situatë, por jemi të detyruar ta mbyllim këtë çështje sa më shpejt, pasi koha nuk na pret.

Mendoj që hapat I kemi marrë që në momentin e parë, dua të falënderoj njerëzit që janë marrë me këtë gjë, madje edhe nuk kanë fjetur gjumë. Kam besimin që shumë shpejt ne do e hapim merkaton.

Do mendoja që Tirana do rrezikonte shumë nëse do të ishte një vendim I prerë. Edhe sikur të mos kishim të drejtën të bënim pagesën, prapë do të ishte e mbyllur. Nuk rrezikojmë në asnjë moment, kemi besimin që shumë shpejt kjo situatë do të kalojë.

Që në momentin që na ka ardhur konfirmimi që merkato jonë është mbyllur, kemi filluar interesimin. Nga momenti në moment presim, do ju tregojmë të gjithë situatën.

Çështja në CAS? Janë gjëra që nuk më takon mua t’i flas. Seferi mendoj që është lojtar i Tiranës, shumë shpejt mund të bëhet prezantimi i tij. Më vjen që shumica e gazetarëve interesohen edhe për ta çuar diku tjetër.

Dua ta falënderoj si një djalë korrekt dhe i premtoj, ashtu siç ia kam premtuar, se shumë shpejt do e veshë bluzën e Tiranës.

Bylis? Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk mendoj se do të ndikojë kjo situatë te lojtarët dhe trajneri. Të gjithë janë nën kontratë, besoj që nuk është problem për komplet grupin që kemi.

Largime? Nga Tirana do ketë firo vetëm nëse ofertat që vijnë janë të kënaqshme për klubin. Jo vetëm Ismajlgeci, të gjithë lojtarët e Tiranës kanë oferta dhe kjo është një gjë shumë e mirë për klubin. Nuk mendoj që të përsëritën situatë të tilla. Për momentin na intereson të mbyllim këtë çështje.

Sulmi? Mendoj që ne si klub do bëjmë të pamundurën për të plotësuar kërkesat e trajnerit Dede. Nuk kërkon 7-8 lojtarë, do një, dy apo tre. Do bëjmë të pamundurën që t’ia plotësojmë këto kërkesa. Emrin e parë e keni marrë”, tha Osmani.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com