Boshnjakët në modë, trajneri Haxhiu piketon lëvizjet “big”

10 Gusht 2019

Flamurtari po nis ndërtimin për sezonin e ri dhe një nga lëvizjet e klubit është oferta në adresë të portierit Adis Nurkoviç. Burime të besueshme pranë klubit të futbollit Flamurtari konfirmojnë për “Panorama Sport” se vlonjatët kërkojnë që të rikthejnë portierin e sezonit të kaluar nga BosnjëHercegovina. Nurkoviç ishte pjesë e Flamurtarit në vitet 2017 dhe 2018, kur ekipi drejtohej nga Shpëtim Duro.

Duke qenë se portieri kryesor, Enea Koliçi, u largua drejt Korçës dhe portieri i dytë, Pano Qirko, u bë pjesë e Tiranës, Flamurtari është hedhur në sulm për të gjetur një tjetër portier. Gazeta mëson se drejtuesit kanë kontaktuar portierin Nurkoviç.

Palët janë ndarë pa probleme dhe mësohet se portieri i Kombëtares së Kosovës është paguar për sezonin e kaluar, kështu që nuk ka pengesa në këtë drejtim. E vetmja pengesë është klubi Celik Zenica në Bosnjë-Hercegovinë, ku Nurkoviç është nën kontratë.

Por, gjërat duket se janë në rrugën e duhur dhe mësohet se Nurkoviç ka kthyer një përgjigje gjysmëpozitive, duke qenë edhe një fije shprese për Flamurtarin. 33-vjeçari ka një CV të pasur si portier. Pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka në Bosnjë, por ka luajtur edhe në Kroaci. Ai ka qenë pjesë e ekipeve të njohura, si Salven Belupo, Travnik, Tuzla City dhe së fundmi Celik Zenica. Nurkoviç ka qenë edhe portier i Kombëtares së Kosovës.

MERKATO

Edhe pse me ritme disi të ulëta, merkatoja te Flamurtari ka nisur tashmë të funksionojë. Deri më tani, Flamurtari ka konfirmuar Semir Bajraktareviçin, mesfushori 31-vjeçar i cili vjen nga BosnjëHercegovina.

Po ashtu, bisedimet vijojnë edhe me vlonjatin Franc Veliu. Nuk është çudi që në vijim të ketë edhe një marrëveshje me ish-kapitenin. Po ashtu, Flamurtari ka në fokus për të rikthyer edhe Blerim Kotobellin. Por, si Veliu ashtu edhe Kotobelli kanë si kusht primar zgjidhjen e çështjes së vjetër të pagave. Megjithatë, në listën e klubit ka edhe emra të lojtarëve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në kampionatin shqiptar.

Flamurtari interesohet për Ardit Hilën. Ky i fundit në vitin e kaluar u bë pjesë e Partizanit. Palët kanë nisur bisedimet edhe me të. Po ashtu, kontakte drejtuesit e Flamurtarit kanë edhe me Realdo Filin. Në sezonin e fundit, Fili ishte pjesë e Luftëtarit.

HOXHAJ

Vlonjatët kanë arritur akordin me Ardit Hoxhajn, të cilin e rikthejnë tashmë në shtëpi. Pasi shkoi te Luftëtari vetëm tri ditë, Hoxhaj është pjesë e Flamurtarit tashmë. Drejtuesit kanë takuar futbollistin vlonjat dhe gjithçka është drejt akordit zyrtar. Vetë futbollisti vlonjat konfirmoi dje për “Panorama Sport” ofertën e Flamurtarit dhe bisedimet me drejtuesit e kuqezinjve. “Jemi drejt mbylljes së marrëveshjes me Flamurtarin.

Jemi takuar dhe kemi diskutuar me drejtuesit. Është kënaqësi për mua që të kthehem në shtëpi. Do të jap maksimumin tim për këtë klub, ku dola dhe u rrita si futbollist. Është një emocion i veçantë të jesh pjesë e Flamurtarit”, tha Hoxhaj./Panoramasport/

www.balkanweb.com