Brazili nuk ”kalon” dot Europën, Neymar ”kryqëzohet”

Eliminimi kundër Belgjikës në çerekfinalet e Kupës së Botës nuk është pritur aspak mirë në Brazil. Tifozët dhe mediet atje kanë shënjestruar veçanërisht Neymar për dështimin e radhës së skuadrës kombëtare në turneun të cilin e kanë fituar më shumë se të gjithë, plot pesë herë.

Në fakt, që prej vitit 2002 kur fitoi edhe titullin e pestë, Seleçao është përballur gjithmonë me mure “europiane” në Kupën e Botës. Në 2006-ën e eliminonte Franca e Zidane dhe Henry, në 2010-n Holanda e Sneijder dhe Robben ndërsa në 2014-tën, humbja e turpshme kundër Gjermanisë me rezultatin 1-7.

Këtë vit të gjithë prisnin të shihnin një Brazil ndryshe që konsiderohej edhe si pretendent kryesor për trofeun. Por me lojën e treguar kundër Belgjikës u kuptua shpejt se nuk ishte kështu. Dhe në “shtëpi”, kanë nxituar të gjejnë fajtorin kryesor, pikërisht lojtarin që konsiderohej deri para nisjes së turneut si ylli më i madh i futbollit botëror, Neymar.

Në një sondazh të realizuar nga “Globoesporte”, media më e madhe në Brazil, tifozët “ngelin në klasë” yllin e Paris SG, duke e vlerësuar atë dhe Gabriel Jesus si më të dobëtit e skuadrës në ndeshjen kundër Belgjikës me plot 56% të votave. Neymar largohet kështu nga Rusia si një humbës i madh, falë edhe skenave qesharake që ka ofruar sa herë që rrëzohej pas një përplasjeje me një lojtar kundërshtar.

Por përveç se u shndërrua në një protagonist në rrjetet sociale duke u tallur me veprimet e tij, Neymar është bërë protagonist i një fotografie të shpërndarë nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, ku lojtari shfaqet duke qarë poshtë statujës ikonë të qytetit, një fëmije që po urinon. Philippe Close ka postuar foton duke shkruar “Nuk kam asgjë për të shtuar”, duke shkaktuar polemika jo vetëm mes brazilianëve./EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.