Brazili turpëron El Salvadorin, Neymar nuk di të ndryshojë (video)

Brazili i ka dhënë një leksion El Salvadorit në miqësoren e luajtur në mëngjesin e sotëm në Maryland të SHBA-ve. Në stadiumin “FedEx Field” të Landoverit, verdhejeshilët zbavitën 28 mijë spektatorë, duke u shënuar 5 herë amerikano-qendrorëve.

Neymar ishte i pari që gjeti golin që në minutën e katërt. Ai ktheu në gol penalltinë e fituar, ndërkohë që në vazhdim nuk i kurseu simulimet, aq sa kjo ngjalli komente e gjithashtu edhe një karton të verdhë

Në të 16-ën, golin gjeti Richarlison, i pari ky për lojtarin me “Seleçaon”, që erdhi pas një goditjeje të bukur nga jashtë zone. Në minutën e 30, fati i takimit u vendos, pasi Coutinho realizoi golin e tretë.

Brazilianët u futën në dhomat e zhveshjes me fitoren e siguruar, ndërsa rivalët e tyre e patën të pamundur që të reagonin. Në pjesën e dytë, Richarlison shënoi sërish (50’), ndërsa triumfi u vulos nga Marquinhos, i cili shënoi golin e 5 në minutën e 90.

Edhe Argjentina luajti dje një miqësore kundër Kolumbisë, për bardhekaltrit nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0 me Kolumbinë në “MetLife Stadium” në New Jersey. Ylli i Juves, Paulo Dybala e nisi nga stoli sfidën, kurse kapiteni i Interit Mauro Icardi luajti titullar. Për Argjentinën u dallua portieri Armero, i cili bëri disa pritje shpëtimtare ndaj “kafexhinjve”.

Në derbin e Amerikës së Veriut, SHBA-të mundën Meksikën me rezultatin 1-0 falë golit të Tyler Adams-it. Në dy takimet e tjera, Venezuala mundi Panamanë 2-0, kurse Guatemala triumfo me të njëjtin rezultat ndaj Ekuadorit. /EDS/

********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera