Brdaric i fiksuar pas sulmit, Vllaznia prezanton një tjetër gjigand

11 Janar 2021

Me 9 pikë diferencë me vendin e dytë, titulli nuk është më një tabu në Shkodër. Pavarësisht se drejtuesit e klubit, trajneri dhe të gjithë protagonistët në fushë, janë të rezervuar në këtë pikë, qyteti, tifozët dhe i gjithë ambienti sportiv e sheh Vllazninë si konkurrentin kryesorë për të triumfuar në fund të sezonit, fundja me të drejtë pasi shifrat e vërtetojnë diçka të tillë. Trajneri Brdaric ka ndërtuar një filozofi të qartë, një futboll i hapur dhe sulmues, dhe as që ka ndërmend të ndryshojë në këtë pikë. Pas Avdiaj, drejtuesit e Vllaznisë i kanë vendosur në dispozicion trajnerit një tjetër sulmues, Salim Cisse.

Salim

Futbollisti nga Guinea, 1,85 i gjatë, ka një karrierë të pasur, ku ka qenë pjesë edhe e klubeve si Sporting Lisbona. Cisse ka zbarkuar në Rinas ndërsa do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Brdaric i cili do të ketë fjalën e fundit nëse do të aprovojë ose jo vazhdimësinë e tij tek Vllaznia. Dy goditjet e para në këtë merkato dimri vijnë pikërisht në fazën ofensive duke e bërë dhe më të paqartë të ardhmen e Dunga i cili mund të largohet nga Shkodra pasi të rikthehet në Shqipëri, së fundmi për të ka ardhur një ofertë konkrete nga Japonia.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com