Burreli afron trajnerin e njohur, ka fituar Kupën e Shqipërisë

Burreli kaloi një sezon jo fort të mirë, duke mbijetuar me vështirësi në Kategorinë e Parë. U shmang rënia në Kategorinë e Dytë vetëm në takimin e fundit të kampionatit, ndërkohë që matjanët kaluan disa peripeci në fazën e parë. Ndryshimet që ndodhën në fazën e dytë iu dhanë atyre qëndrimin në të Parën, për të krijuar tashmë hapësirat për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ri.

Gjithçka do të nisë nga stafi, drejtuesit matjan kanë afruar durrsakun Stavri Nica për stolin, trajner që ka njohje të madhe për futbollin shqiptar, si në elitë ashtu edhe në inferiore. Për Burrelin është luks që ky trajner të ulet në stol, pasi përherë lufton për të fituar.

I kontaktuar nga “eduasportin.com”, Stavri Nica pohoi interesimin e palës matjane për sezonin e ri, ndërsa ka pranuar që të marrë drejtimin e ekipit. “Është e vërtetë që unë do të jem trajneri i Burrelit për sezonin e ri. Saktësisht është një bashkëpunim me drejtuesit për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ri. Projekti që kanë drejtuesit është bindës, por edhe unë me natyrën që kam dua një skuadër me mentalitet fituesi. Ne do të afrojmë lojtarë cilësorë për të ardhmen. Objektivat janë natyrale, pasi pesëshja e parë nuk duhet të diskutohet. Grupi i Veriut është i fortë, kështu që duhet të përgatitemi mirë për këtë sezon”, tha Nica, i cili në të shkuarën e tij ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë me Laçin. Ka drejtuar skuadra si Teuta, Besëlidhja, Apolonia, Bylis apo dhe Erzenin. Me Burrelin do të jetë një eksperiencë e re për 64-vjeçarin. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.