Bushiç mposht Partizanin dhe i jep Flamurtarit 3 pikë

Flamurtarit i mjaftoi një gol i Tomislav Bushiçit për të mposhtur në Vlorë Partizanin. Kuqezinjtë pas shënimit të golit ditën të mbroheshin mirë, ndërsa “demat e kuq” ishin të pasaktë përpara portës. Kjo është një fitore me mjaft vlerë për vlonjatët, ndërkohë që mund t’i kushtojë shumë kryeqytetasve, që tani rrezikojnë të humbnin vendin e parë. Nëse Skënderbeu fiton ndaj Tiranës në sfidën e nesërme, atëherë merr kreun.

Flamurtari e nisi rrezikshëm ndeshjen, duke i bëre presion të kuqve. Pas disa përpjekjeve, në minutën e 9, kapiteni Bushiç gjeti golin. Ishte Kale që në takimin e tij të parë si kuqezi krosoi drejt zonës së rreptësisë dhe aty kroati me kokë gjuajti dhe mposhti portierin Xhika. Partizani u ngjall pas 15 minutave të para, por mungoi finalizimi.

Në të 36’, Trashi gjuajti fort nga jashtë zone, por Koliçi u tregua i vëmendshëm dhe priti. Në të 40’, ishte radha e Telushit që t’i afrohej golit, por sërish gardiani i vlonjatëve priti dhe largoi rrezikun.

Në pjesën e dytë ishin miqtë ata që e nisën vrullshëm. Por Flamurtari iu afrua golit të dytë në të 63’, kur Kotobelli harkoi një top të bukur drejt zonës për Bushiçin, por portieri Xhika u tregua i vëmendshëm dhe e bllokoi topin.

Në 45 minutat e dyta pati aksione nga të dyja skuadrat, por rezultati nuk ndryshoi.  “Demat e kuq” pretenduan për një 11 metërsh, pas prekjes së topit me dorë të Pollozhanit, por arbitri vazhdoi lojën. Vendasit u treguan të saktë dhe e ruajtën avantazhin. Ata shkojnë në kuotën e 22 pikëve. /EDS/

**************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.