CAS i jep të drejtë Partizanit, të kuqtë fitojnë betejën me FIFA, zhbllokohet merkato

04 Janar 2021

Tifozët e kuq, drejtuesit e Partizanit e mbi të gjitha trajneri Daja, kishin një dëshirë të përbashkët në këtë fillim viti, të fitonin betejën me FIFA në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. CAS më në fund i ka kthyer një përgjigje zyrtare ekipit kryeqytetas duke i dhënë të drejtë atyre në lidhjen me çështjen Çinari. Më në fund, pas një merkato vere me zero afrime, të kuqtë mund të operojnë lehtësisht në këtë sesion pasi vendimi i FIFA-s që i pezullonte merkaton në hyrje për dy sesione është shfuqizuar. Me anë të një njoftimi për mediat klubi i kuq ka bërë publik këtë vendim duke shtuar:

Partizaniii

Klubi njofton se sot është bërë me dije nga CAS për heqjen e pezullimit të sesionit të transferimit të lojtarëve, vendim që ishte në fuqi nga FIFA në lidhje me çështjen e sulmuesit Erald Çinari. Klubi saktëson se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje. Nga ky moment tashmë FK Partizani rifiton të drejtën për të operuar në merkaton e Janarit. Trajneri Daja fiton për herë të parë një betejë në CAS dhe tashmë së bashku me drejtorin Rama do të përpiqen të zbatojnë atë plan të hartuar prej kohësh në letër. Me 5 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, 19 pikë në total, Partizani as nuk shkëlqeu por as nuk stonoi në këtë pjesë të parë të sezonit. Me grupin e plotë, të kuqtë vërtetuan se janë të aftë të mposhtin çdo kundërshtarë por në disa momente gjatë sezonit, ekipi i Ilir Dajës i shfaq i brishtë dhe shumë i limituar, siç ndodhi në sfidën e fundit kundër Laçit. Tashmë llogaritë bëhen ndryshe pasi të kuqtë kanë të drejtë të operojnë në merkato dhe ky grup vetëm mund të përmirësohet për të synuar me kohë të plotë titullin kampion.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com