Çudia/ Klubi i njohur gjerman ka përdorur 7 uniforma vetëm këtë sezon

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
6 Prill 2018 20:35

Uniforma e parë e Koln përbëhet nga ngjyra e kuqe dhe e bardhë, ndërsa uniforma e dytë ka shirita... ehm, të kuq. Për këtë arsye, në ndeshjen e vlefshme për Bundesligën kundër Leipzig, e fituar me rezultatin 2-1, për të parandaluar një përplasje ngjyrash, ekipi vizitor u paraqit me një uniformë të zezë – duke e çuar në 7 numrin e uniformave të përdorur gjatë këtij sezoni.


Klubet tradicionalisht para fillimit të sezonit paraqesin tre lloj uniformash (brenda /jashtë /e treta), por këtë sezon Koln ka thyer çdo rekord të mundshëm. Klubi gjerman kanë përdorur uniforma të veçanta gjatë ndeshjeve të Europa League, një uniformë retro dhe një uniformë të zezë. Në shtator, ata përdorën uniformën e tyre të tretë të sezonit 2016/17 kundër Augsburg, që e çon në shtatë totalin e uniformave të përdorura.


Uniforma e përdorur kundër Leipzig është e vetmja që nuk mund të blihet në faqen zyrtare të klubit, por gjashtë të tjerat mund të blihen në paketë, për çmimin 422 £. Duhet të themi që kompania që prodhon uniformat, Erima kanë qenë shumë të zënë me punë këtë sezon, por klubi që rrezikon të bjerë nga kategoria, ka zgjedhur kompaninë Uhlsportin për sezonin e ardhshëm, që do të thotë se do kemi të bëjmë me uniforma të reja sezonin tjetër. Ah sa bukur! /EDS/

Tjetër mentalitet, komplimente Dajës dhe... sinqeritet

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:41
Peter Pacult të bën për vete

Peter Pacult është nga ata trajnerë që e di më së miri atë shprehjen “tërhiqe e mos e këput”. Austriaku që mori në janar drejtimin e Kukësit kërkon disiplinë në stërvitje, por nuk është se kërkon ta kthejë ekipin e tij në një repart ushtarak. Nuk mungojnë shakatë, pasi morali dhe ana psikologjike e futbollistëve është e rëndësishme. E di mirë këtë Pacult, e dinë edhe trajnerët e tjerë në vendin e tonë, por kreu i pankinës së verilindorëve nuk ka kompleke.

Në një konferencë për shtyp u paraqit me tuta të shkurta sportive. E kujt i intereson fort, sapo kishte mbaruar stërvitjen me skuadrën. Iu përgjigj pyetjeve, ndërkohë që batutat nuk i mungojnë në asnjë moment. Para ndeshjes me Skënderbeun ka menduar të zhvillojë një seancë në bregdet. Shumëkush në vendin tonë mund të mendojë: “Hë, do ia lënë ndeshjen Skënderbeut këta. Shikoni si stërviten, kanë ikur për qejf në plazh”.

“Nuk është ditë relaksi, por stërvitje e mirëfilltë. Është mënyra më e mirë për t’i larguar skuadrës presionin”, thotë Pacult në Supersport, ndërkohë që skuadra e tij vjen pas dy barazimeve me Laçin dhe i pari u kushtoi eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Tanimë luajnë kundër Skënderbeut dhe dëshira e trajnerit të verilindorëve është t’i shtyjë festën e titullit të korçarëve. Fjalë të mira për Ilir Dajën. “Një ndeshje e vështirë, por duam që t’ia shtyjmë festën e titullit Skënderbeut. Daja ke një ekip me kualitet dhe po e menaxhon mirë situatën pas atij dënimi që u ka dhënë UEFA. Objektivi ynë është t’u shtyjmë festën e titullit”, ka thënë mes të tjerash Pacult, që thekson se për Europën dhe lojtarët do të mendojë vetëm pasi ta sigurojnë pjesëmarrjen matematikisht. Kukësi momentalisht mban vendin dytë me 54 pikë, ndërkohë që Luftëtari ndjekës ka shtatë pikë më pak, kurse Partizani 9 pikë./EDS/

Nga Egjipti në majat e futbollit, Salah zbulon sekretet e jetës

Ti mund ta lexosh kete ne 2 min.
25 Prill 2018 15:24
Sulmuesi rrëfen detaje interesante

Mohamed Salah vazhdon të surprizojë me paraqitjet e tij mbresëlënëse në Premier League dhe Champions, me fanellën e Liverpool. Sulmuesi egjiptian po kalon një formë të jashtëzakonshme pas transferimit nga Roma në “Anfield”. 25-vjeçari realizoi dy gola në fitoren (5-2) e gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve ndaj ish-ekipit të tij, Romës.

Në një intervistë për CNN, Salah ka rrëfyer jetën e tij përtej futbollit, në veçanti për atdheun e tij, Egjiptin. I pyetur se si arrin t’a mbajë gjithë këtë presion mbi kurriz, ai tha se nuk ndjen asnjë të tillë, përkundrazi ndihet i lehtësuar.

Ushqimi

“Ushqimi është shumë i rëndësishëm, është pjesë e lojës. Më ka ndihmuar shumë të rikuperohem, të fle më mirë dhe trupin tim që të përshtatet më shpejt. Për shkak se nuk kam ndonjë yndyrë në trupin tim, mund të ha çfarë të dua. Gjithashtu nuk pi, kështu që është mirë. Kur kthehem në Egjipt, i them shokut tim që të më blejë kushari kur të vijë të më marrë në aeroport. Vendos kapuçin në kokë dhe futem në makinë për të ngrënë menjëherë.

Kushari është ushqim tradicional në Egjipt, e cila përbëhet nga orizi, makarona dhe thjerrëzat. Duket që ka pasur efekt fantastik tek Salah, i cili ka shënuar 43 gola këtë sezon me fanellën e “The Reds”.

Jeta dhe Egjipti

“Nëse flasim për Egjiptin, ne jemi 100 milionë. Duhet të jem i natyrshëm dhe të mos bëj asgjë të rreme, të mashtroj në mediat sociale, në intervista dhe në jetë. Kjo është jeta ime, është tepër e thjeshtë. Nuk ka asgjë të komplikuar. Nuk kam asgjë për të bërë gjatë ditës por përgjegjësinë e kam në fund. Duhet t’a marrësh me qetësi dhe të ecësh përpara. Unë nuk jam nervoz për këtë. Është pak e vështirë, pasi nuk keni lirinë që të bëni gabime, diçka të gabuar. Ky është presioni, por kur ju ndiheni nën presion për shumë vite, mund të biesh dakord me të. Është në rregull.

Mohmaed Salah ka shënuar 31 gola (9 asiste)  në 31 ndeshje në Premier league deri më tani ndërsa në kompeticionet evropiane, në 10 takime ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 4 asiste. /EDS/

VIDEO | Tërbohen tifozët, përplasje me lojtarët para stërvitjes

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 14:42
Humbja e fundit e Juventus-it me Napolin i ka tërbuar

Humbja e fundit me Napolin nuk është pritur mirë nga tifozët e Juventusit, që presin reagim nga skuadra e tyre në përballjen me Interin. Por duket se gjërat kanë dalë disi jashtë kontrollit, pasi së fundmi në qendrën sportive të Vinovo ka pasur tension mes një grupi tifozësh të Juventusit dhe lojtarëve bardhezi. Para stërvitjes ka patur një përplasje mes tyre dhe dyshes Marchisio-Sturaro, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe koret kontestuese.

Më pas kanë mbërritur forca policorë për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërkohë që anëtarë të grupit “Tradizione” kanë pasur një takim edhe me Buffon-in dhe më pas janë dëgjuar këngë mbështetëse për ekipin. Gjithashtu tifozët kanë folur edhe me Higuain, ndërsa të tjerët pas stërvitjes janë larguar. Nga ana e Drughi ka pasur një mesazh mbështetës të martën, teksa në ambientet ku stërvitet ekipi ishte shpalosur mesazhi: “Ne me zë, ju me zemër: fitojmë!”. /EDS/

Erdhi dita, Kosova do t'i rrëmbejë talentin Serbisë!

Ti mund ta lexosh kete ne 1 min.
25 Prill 2018 14:22
Askush nuk e kishte menduar

Quhet Anton Zekaj, luan në Serbi në ligën e tretë në Sopot, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e Partizan Beograd. Ka lindur në krahun e Vojvodinës dhe është aktivizuar me përfaqësueset e moshave të Serbisë, ndërkohë që tanimë del në skenë edhe Kosova. E duan në përfaqësuese, por kjo sigurisht që në Serbi nuk është pritur mirë. Për mesfushorin 18-vjeçar ftesa ka shkuar në klubin serb, por Zekaj kërkon kohë të mendohet.

Ai e ka edhe një mesazh: “Ftesa ka ardhur, por duhet të mendoj me kujdes për vendimin. Nuk është ende përfundimtare. Nuk besoj se do të kisha probleme. Varet nga shumë rrethana, por unë kam lindur në Somboru, kam pasaportë serbe. Kam luajtur me Partizanin dhe me ekipet e moshave të Serbisë, ku kam qenë edhe kapiten. Nëse do e dija që në të ardhmen do të më vinte një ftesë e Serbisë, do ta pranoja”, thotë mes të tjerash Zekaj në “Blicsport”.

Anton Zekaj, në një ndeshje me Serbinë. Bie në sy shiriti i kapitenit

Në lidhje me lojtarin ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili ka deklaruar në TV Kosova 2 ndër te tjera: “I dimë cilësitë e tij dhe shpresojmë që gjithçka do të dalë mirë. Tani vendimi i përket atij. Shpresoj të mos ketë probleme, ai është me origjinë nga Kosova”. E vështirë duhet që në Serbi të mendohet një lëvizje e tillë, por rregullat e FIFA-s ia mundësojnë Kosovës që ta marrë talentin e mesfushës, mjafton që ai të ketë dëshirën ta pranojë ftesën e trajnerit Bernard Challandes./EDS/