Daja: Na duheshin këto 3 pikë, treguam karakter ndaj Partizanit

Trajneri Ilir Daja tha se Flamurtari i tij ishte përgatitur për të marrë këtë fitore ndaj vendit të parë të renditjes, Partizanit. Ai tha se kuqezinjtë treguan karakter dhe ia dolën të merrnin 3 pikët.

“Kishim nevojë për tri pikët dhe qëllimi kryesor ishte të tregoheshim pragmatistë, po prodhonim lojë, po rriteshim në lojë, por nuk po merrnim pikët. Sot luanim me vendin parë dhe në pjesën e parë ishim ne më mirë se kundërshtari, ishim më agresivë. Në pjesën e dytë nuk e orientova ekipin të kthehej, qëllimi im ishte vetëm që dy mesfushorët të ndalonin depërtimet nga krahët të kundërshtarit. Pastaj treguam karakter në mbajtjen e rezultatit, u munduam të shfrytëzojmë me kundërzbritje edhe hapësirat që la kundërshtari”, tha tekniku për “Supersport” pas takimit.

Ekipi vlonjat ndryshe nga nisja e sezonit tani ka më shumë alternativa dhe sigurisht që kjo e kënaq teknikun. “Do të dëshiroja të ishte dhimbje koke për alternativat. Të mos harrojmë se që kur ka filluar gara nuk kemi qenë asnjëherë të plotë. Ndaj edhe do të doja të kisha dhembje koke nga rikthimi i lojtarëve të dëmtuar. Ndeshja më e mirë? Është një nga ndeshjet e mira tonat, por nuk është më e mira. Ka ndodhur me ekipet që kemi sipër në klasifikim, si me Kukësin e Skënderbeun në pjesën e parë. Tani me ndihmën e gjithë kontingjentit, kur të ketë shenja lodhje, mundet që të bëjmë ndonjë rotacion, por pa ndryshuar mënyrën e lojës, se tani kemi një farë eksperience me këtë mënyrë.”

Më pas një dedikim edhe për fansat. “Ndjehem i vlerësuar, na kishin munguar tifozët jo vetëm mua, por sidomos lojtarëve se ata kanë një motiv më shumë kur stadiumi mbushet. Të jem i sinqertë, ua kam premtuar disa herë, nuk ia kemi shpërblyer. Shpresojmë të bëjmë sa më pak hapa fals në vijim”,-përfundoi tekniku i kuqezinjve./EDS/

**************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.