“Dele Alli ikën nga Tottenham nëse Real ose Barcelona e duan”

Dele Alli duhet të largohet nga Tottenham nëse Real Madrid ose Barcelona do të hidhen në sulm për ta blerë gjatë verës.

Ky është mendimi i ish-yllit të Spurs-ave, Jermaine Jenas, i cili mendon se Alli do ta ketë të vështirë që të refuzojë ofertat e dy gjigantëve spanjollë nëse ata do të paraqiten zyrtarisht në klubin londinez.

“A duhet të qëndrojë te Tottenham? Nuk e di,” tha Jenas, i cili ka luajtur thuajse tetë sezone në “White Hart Lane”.

“Ajo që po bën ai me Spurs është fantastike dhe ai mund të arrijë edhe më shumë. Por nuk mund të injorosh klube si Reali apo Barça, nëse të kërkojnë. Dhe mendoj se vetëm ato dy klube mund ta joshin, pasi nuk besoj se ai do të lëvizte për një klub tjetër brenda Anglisë. Mbase Manchester City, nëse fillon të dominojë futbollin evropian, mund të jetë tërheqës për të. Duke u bazuar te tradita, nëse Reali apo Barcelona të kërkojnë, duhet të shkosh menjëherë për ta provuar atë eksperiencë, përndryshe do të mbetet peng gjithë jetën”.

Gareth Bale dhe Luka Modric u larguan nga Tottenham vite më parë për t’u transferuar në “Bernabeu”, ndërkohë që paraqitjet e Alli-t kanë zgjuar interesin e dy klubeve më të mëdha në La Liga.

Alli ka shkëlqyer në “White Hart Lane” fill pas transferimit të tij në vitin 2015 kur ishte vetëm 18 vjeç.

“Ai është një talent special, – thotë Jenas. – Është në rrugën e duhur dhe shpresoj që të jetë në lartësinë e duhur me Anglinë në finalet e Botërorit”. /EDS/