Dëshira e çmendur e Vllaznisë, sulmuesi projektohet në verë

Dëshira e çmendur e Vllaznisë, sulmuesi projektohet në verë

Vllaznia është e fiksuar që të ketë sa më shumë shkodranë në përbërje. Lokalizmi është i ngulitur thellë në rrënjët e shkodranëve. Ekipi kuqeblu me rikthimin në krye të presidentit Valter Fushaj do të investojë fuqishëm për të ardhmen, të paktën këta janë “iluzionet” e para. Emri i parë dhe shumë i dëshiruar i merkatos kuqeblu është Sindrit Guri.

Sulmuesi i Kukësit është dëshira e madhe e drejtuesve shkodranë. Një ide e çmendur në dukje, pasi lojtari është nën kontratë me Kukësin. Largimi i tij nga skuadra kampione e Shqipërisë është i pamundur në janar, pasi Safet Gjici nuk do që të humbasë një nga “xhevahirët” e skuadrës, pa harruar pamundësitë ekonomike të kuqebluve.  

Gjërat mund të ndryshojnë në verë, pasi kontrata e Gurit mbaron. 24-vjeçari do të ketë vetëm opsionin “+1” në kontratë e tij “2+1”. Një opsion që ka “djegur” jo pak herë lojtarët kuksianë. Afrimi i lojtarit është vetëm një ide e momentit, pasi situata është mjaft e vështirë, por me rikthimin e Valter Fushajt në krye, asgjë nuk është e pamundur. /EDS/