Dinamo ‘blindon’ portën, afron dhe një ‘ish’

Dinamo ‘blindon’ portën, afron dhe një ‘ish’

Ishte e lënë në hije prej dy vitesh, por drejtuesit kanë vendosur që të rimëkëmbin Dinamon, ta kthejnë atë në nivelin ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar. Blutë e kryeqytetit vuajnë prej shtatë sezonesh në Kategorinë e Parë, herë për mbijetesë e herë në pesëshen e parë, por këtë vit duket se situata do të ndryshojë. Drejtuesit kanë vënë dorë dhe gjithçka duket se po ndryshon për mirë.

Skuadra ka paguar detyrimet në kompleksin Pezë – Helmës për stërvitjen dhe ndeshjet deri në muajin dhjetor, duke garantuar hapësirën ku do të përgatiten. Ndërkohë që pas kësaj është hedhur hapi i dytë, kanë nisur përgatitjet për të grupuar lojtarët që iu duhen për sezonin e ri.

Gjithnjë mbi bazën e sezonit të shkuar. Kanë qëndruar lojtarë si Ilir Allmuça, Rei dhe Marlind Nuriu, Mario Morina, Markovanbasten Çema apo e të tjerë. Ndërkohë që është afruar Jetmir Sefa, mesfushori me mjaft eksperiencë si dhe mbrojtësi Klaudio Çema. Është kërkuar sulmuesi Endri Lala, së bashku me të tjerë emra që do t’iu shërbejnë kryeqytetasve.

Ditën e djeshme në miqësoren e zhvilluar kundër ekipit U-19 të bluve, janë parë dhe dy portierë me mjaft eksperiencë. Ted Laço, një prodhim i Dinamos është rikthyer në skuadër, ndërkohë që do të rivalizojë me Elson Demin për kuadratin. Laço rikthehet pas eksperiencës dy-vjeçare te Korabi, ndërsa Demi pas aktivizimit me Besëlidhjen.

Dinamo me këto dy afrime siguron portën, ndërsa po punon për të “blinduar” dhe reparte të tjera, në mënyrë që të jetë plotësisht gati për sezonin e ri që do të nisë më 9 shtator. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.