Doni të blini një lojtar nga Bilbao? Përgatituni për ''luftë'' dhe shumë miliona

Ti mund ta lexosh kete ne 4 min.
15 Tetor 2018 09:34

Merkato verore ka përfunduar prej disa muajsh tashmë. Shifra të çmendura parash u shpenzuan edhe këtë herë, sepse kështu është futbolli i sotshëm. Por ndryshe nga edicionet e tjera kjo verë kishte si temë kryesore merkaton e portierëve.

Alisson Becker la Romën për Liverpool për 70 milionë euro duke thyer rekordin e portierit më të shtrenjtë në botë, rekord që u rikthye brenda pak javësh kur Kepa Arrizabalaga pagoi klauzolën prej 80 milionë eurosh që kishte në kontratën e tij me Athletic Bilbaon, për t’u transferuar te Chelsea, që kishte mbetur pa portier sepse Thibau Courtois realizoi dëshirën për të luajtur me fanellën e Real Madrid.

Por përtej shifrave të çmendura, shitja e portierit bask vuri në dukje një një cilësi të Athletic Bilbaos që mund të mos jetë vënë re më parë. Bilbao shfrytëzoi më së miri faktin që Blutë ishin të dëshpëruar për një portier cilësor, por gjithashtu kjo shitje tregoi edhe një herë aftësitë e shkëlqyera negociuese të drejtuesve të tij.

Duke qenë se Athletic ndjek një politikë strikte blerjesh, vetëm të lojtarëve me origjinë baske, klubi ka pak arsye për të shitur pjesëtarët më të mirë nga radhët e veta, sepse paratë që marrin nga shitjet nuk mund të shpenzohet përtej kufijve të Krahinës Autonome Baske, ose maksimumi deri në pjesën baske që është përfshirë brenda territorit të Francës.

Por është pikërisht ky rregull që i jep atyre forcën që të dalin gjithmonë fitimtarë sa herë që ka një “mundje dore” kur një klub i madh afrohet për të marrë një prej yjeve të skuadrës. Dhe kjo histori vazhdon e tillë prej vitesh. Madje para se sa Paris SG të fillonte të rriste në mënyrë drastike çmimet...

Këtë e mësoi më së miri Bayern Munchen në vitin 2012, kur iu desh të paguante 40 milionë euro për Javi Martinez, një shifër rekord për çdo klub në Gjermani. Në atë kohë, marrëveshja ishte tejet e ndërlikuar, pasi Bilbao qëndronte kokëfortë përballë ofertave të Bayern, çka detyroi Karl-Heinz Rummenigge që të akuzonte klubin spanjoll se refuzoi të bashkëpunonte që në ditën e parë, e më pas të shkonte e të paguante klauzolën e lojtarit.

Disa vjet më vonë, Manchester United e pësoi edhe më keq. Negociatat për të marrë Ander Herreran zgjatën për një vit të tërë. Klubi anglez kërkoi fillimisht të merrte mesfushorin në vitin 2013, kur trajner ishte David Moyes. Por pasi ishte paguar klauzola prej 40 milionë eurosh marrëveshja përsëri nuk u përfundua dhe lojtari u ble më në fund një vit më pas kur trajner ishte Louis van Gaal. Ashtu si edhe Kepa, Herrera u detyrua ta paguante vetë klauzolën e prishjes së kontratës, duke u kritikuar përsëri nga drejtuesit e United, të cilët akuzuan Bilbaon se i bënë gjerat të vështira thjesht për të dalë mirë në sy të tifozëve të vet.

Të njëjtin “fat” do të provonte edhe Manchester City në janar ndërsa prpiqej që të blinte Aymeric Laporte. Në fund të negociatave kampionët e Anglisë u detyruan të paguanin 65 milionë euro. Në fakt, këto nuk mund të quhen negociata, pasi edhe këtë herë u pagua klauzola e prishjes së kontratës, duke e bërë Laporten mbrojtësin e dytë më të shtrenjtë në historinë e futbollit, edhe pse nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje me kombëtaren e vet. Madje, as nuk e ka zgjedhur akoma se me cilën kombëtare do të luajë, Spanjën apo Francën(!)

Por jo gjithmonë kokëfortësia jep rezultate, jo të gjithë janë të gatshëm të paguajnë shifrat e çmendura që kërkon Bilbao. i tillë është rasti i Iker Muniain – dikur i cilësuar si Messi spanjoll. Prej tij priteshin gjëra të mëdha kur filloi të luante në skuadrën e parë në vitin 2012. Dukej vetëm çështje kohe kur një klub i madh do ta blinte, por të gjithë u zmbrapsën nga klauzola prej 40 milionë eurosh. Momenti i tij kaloi dhe sot askush nuk është më i interesuar për të.

Kështu duket se do ta “pësojë” edhe Inaki Williams, i lakuar shpesh verën e kaluar për një transferim të mundshëm jashtë Spanjës, me Liverpoolin më të interesuar se të tjerët. Por vetëm disa muaj më parë ai kishte nënshkruar rinovimin deri në vitin 2025, me një klauzolë për prishjen e kontratës plot 108 milionë euro... Vështirë se do të afrohet njeri, të paktën për momentin.../EDS/

**********

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota ne kohe reale nga Futbolli dhe sportet tjera.

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike