DOSIER / Titulli i mohuar, si e vodhën Tiranën 50 vjet më parë!

Këto ditë kemi hasur një diskutim midis Partizanit dhe Skënderbeut për titullin e sezonit 2015-2016, një titull që FSHF-ja ia hoqi Skënderbeut për shkak të raportit të FIFA-s, që akuzonte ekipin korçar për shitje ndeshjesh. Partizani e pretendon atë titull, dhe në këto momente çështja është në dorën e KAS-it.

Por nëse rikthehemi në kohë do gjejmë një kampionat të diskutueshëm për shkak të skandaleve dhe ndodhive që e rrethuan.

Historia e përjashtimit të 17 Nëntorit dhe Partizanit nga kampionati i vitit 1967, solli humbjen e titullit për ekipin bardheblu duke favorizuar në këtë mënyrë ekipin e Dinamos, kampione që nuk u njoh as nga UEFA, që nuk lejoi pjesëmarrjen e skuadrës në kupat e Europës.

Fuqia dhe pesha e regjimit komunist arrinte deri në persekutimin, madje deri në përjashtimin e një ekipi nga kampionati, vetëm e vetëm që titullin ta fitonte ekipi i Ministrisë së Brendshme, Dinamo. Këtë gjë mund të ta tregojnë tifozët bardheblu kur kanë parë me sytë e tyre se si mund t’ju hiqej nga duart një kampionat i merituar.

Por si ndodhi? – Kampionati fillon rregullisht dhe javë pas jave do shihet një rivalitet midis Dinamos dhe 17 Nëntorit. Deri në javët e fundit kryesonte 17 Nëntori, ose më mirë deri para ndeshjes famëkeqe me Partizanin.

Gazeta Sporti Popullor – shtator 1966

Me 24 qershor, luhej derbi i Tiranës midis 17 Nëntorit dhe Partizanit. Partizani shkonte në këtë takim pa asnjë pretendim për titullin. Bardheblutë fitonin, duke hedhur një hap vendimtar drejt fitimit të titullit të tretë kampion pas Luftës së Dytë Botërore. Fakti që një ekip jo i preferuar nga regjimi i asaj kohe të fitonte Kampionatin 3 herë radhazi ishte një goditje për 2 ekipet shtetërore, por kjo gjë nuk kapërdihej dot nga regjimi i asaj kohe. 17 Nëntori ishte ekipi që nuk pëlqehej nga regjimi, për faktin se përbëhej nga lojtarë të familjeve tiranase, që nuk ishin plotësisht në tutelën e regjimit. Tifozët tiranas e quanin skuadrën me emrin e vjetër, Tirana, dhe jo 17 Nëntori sipas datës së çlirimit të kryeqytetit.

Shumica e anëtarëve të Byrosë Politike ishin tifozë të Partizani dhe ndiqnin ndeshjet në stadium. Dhe kjo ishte një arsye tjetër pse 17 Nëntori nuk ishte i preferuari. Shembulli kryesor ishte Petrit Dume, i cili në pushim të ndeshjes zbriste në dhomat e zhveshjes dhe ndikonte në zëvendësimin e lojtarëve që ai mendonte që nuk po luanin mirë.

Karikaturë për Kampionatin 1965-1966, ku fitoi Tirana

 

DERBI I 24 QERSHORIT TË 1967 – Deri atë javë Tirana kryesonte me 33 pikë, Dinamo kishte 31, ndërsa Partizani 25, jashtë garës për t’u bërë kampion. Por duhej patjetër që Tirana të mos fitonte. Pritej, pra që Partizani të fitonte kundër Tiranës. E atëherë të bëhej ç’ishte e mundur, madje të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj Vllaznisë edhe ajo pa pretendime për titull, që të dorëzohej para Dinamos. Në këtë mënyrë, si Tirana, ashtu edhe Dinamo, barazoheshin me pikë e kësisoj krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte Dinamo. E vërteta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste nuk ishte kaq e lehtë të realizohej, sepse në tri ndeshjet e fundit të kampionatit Tirana do të ndeshej me Tomorin, Lokomotivën dhe Traktorin, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes. Ndeshja ndaj Partizanit veç faktit se pati një luftë të vërtetë sportive në fushën e lojës mes dy skuadrave dha edhe verdiktin: 17 Nëntori fitoi 2-1. Nga ana tjetër, Dinamo, të nesërmen, nuk mori më shumë se një barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg Tiranës.

Por komunistët kishin gjithmonë një zgjidhje që të fitonin ata. Në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor 1967, u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të dyja skuadrat, 17 Nëntori dhe Partizani, përjashtoheshin nga kampionati i vitit 1966-67 për shfaqje të theksuara antisportive. Me “shfaqje antisportive” kuptoheshin ndërhyrje të rënda, sipas byroistëve, nga ana e futbollistëve të dyja skuadrave ndaj njëri-tjetrit në fushën e lojës, por që realisht gjyqtari nuk pati përjashtuar asnjë futbollist me karton të kuq. U duk hapur se ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Motivi ishte shumë i qartë: duke përjashtuar Tiranën, “de jure” kampione, “de facto” e tillë bëhej Dinamo, një skuadër e krijuar nga diktatura. Dhe në opinion krijohej ideja se nuk kishte pabarazi, pasi bashkë me Tiranën përjashtohej edhe Partizani.

 

17 Nëntori

Josif Kazanxhi, Bahri Ishka, Ilir Elini, Bujar Tafaj, Fatmir Frashëri, Skënder Halili, Gëzim Kasmi, Nuri Bylyku, Ali Mema, Luigj Bytyçi, Niko Xhaçka, Tomorr Gjoka, Pavllo Bukoviku, Rexhep Bathorja, Skënder Hyka, Gëzim Saraçi, Osman Mema, Vaso Konomi, Aurel Verria. Trajnerë: Myslym Alla, Enver Shehu

 

Skeda e Ndeshjes:

17 Nëntori-Partizani 2-1

Shënues: Bukoviku, Ishka/ Jashari

 

Shënim: 17 Nëntori dhe Partizani nuk i zhvilluan tri ndeshjet e fundit, por në renditjen e përgjithshme ato u konsideruan si tri ndeshje të humbura dhe pikët iu dhanë kundërshtarëve të tyre në tri javët e fundit të kampionatit.

 

Përbërja e skuadrës fituese

Pasojat në Kompeticionet Europiane:

UEFA duke parë situatën nuk e njeh Dinamon si kampion dhe vendos që 17 Nëntori të jetë ekipi që do përfaqësojë ShqipërinëEuropë. Shorti e vendos përballë Vålerenga-s, një ekip nga Norvegjia, por Federata vendosi që asnjë ekip të mos paraqitej në Europë, duke sjellë humbjen në tavolinë për ekipin nga Tirana.

 

Por si e kujtojnë protagonistët e asaj kohe këtë ndeshje?

 

OSMAN MEMA

“Në përfundim të ndeshjes, që ne e fituam 2-1, duke dalë nga fusha për t’u futur në dhomat e zhveshjes, isha së bashku me Muharrem Karriqin, ndërkohë që Agim Dizdari më ofendoi. Me uniformën e ushtarakut, ai e bëri një gjë të tillë në nerva e sipër, pas humbjes që pësoi Partizani. Në atë moment nuk jam përmbajtur dhe menjëherë e godita Dizdarin, ndërkohë që sherri arriti deri në dhomat e zhveshjes, ku është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë, por edhe e trajnerit Refik Resmja për të qetësuar situatën. Realisht, tensioni kapi kulmin në këtë moment, por ai e kishte fillimin që përpara se të luhej ndeshja, sepse nga ana e të kuqve pretendohej fitorja me çdo kusht, në mënyrë që t’i prishej punë 17 Nëntorit për të dalë kampion. Të nesërmen dhe në ditët në vazhdim, opinioni dhe media e asaj kohe nuk më cilësuan aspak fajtor për atë se çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes. Problemi ishte se Komiteti Shtetëror i Sporteve mori vendimin ekstrem për të përjashtuar nga kampionati ekipin tonë dhe atë të Partizanit, ndërkohë që unë u pezullova 6 muaj. U bë kaq problem ky incident, sa që për pak rrezikova edhe burgun, pasi në shtëpi më mbërrin një fletë-thirrje nga policia, se duhej të paraqitesha në hetuesi për të sqaruar gjithçka”.

Sipas ish-futbollistit të 17 Nëntorit, arsyeja e gjithë këtij incidenti, që solli dhe përjashtimin e të dy ekipeve nga kampionati, ishte prania në stadium e “Gardës së Kuqe Kineze”. “Dënimi i ashpër nga Komiteti Shtetëror i Sporteve, por edhe fakti që ky incident në dhomat e zhveshjes u bë problem deri edhe në hetuesi, mendoj se kishte një arsye. Ditën që u luajt derbi, në stadium ishte një delegacion i ‘Gardës së Kuqe Kineze’ dhe, si rrjedhojë, veprimi ynë u quajt shfaqje e huaj, e palejueshme për sistemin”.

 

PAVLLO BUKOVIKU

Çfarë ndodhi në fushë?

Nuk pati probleme të mëdha, por jo se nuk pati fare probleme. Unë për shembull dola jashtë lojës para kohe për hiçgjë. Arsyeja ishte se u përplasa në një moment me Lin Shllakun dhe ai më gjuajti me shuplakë. Ishte momenti kur u shënua goli i avantazhit nga skuadra jonë. Deri në atë moment, ishim 1-1 dhe Bahri Ishka shënoi golin e dytë. Niko Xhaçka, nga gëzimi, e gjuajti edhe një herë tjetër topin që kthehej nga rrjeta dhe ia behu duke gëzuar. Në atë moment nga inati nga pas iu vu Lin Shllaku. Ky donte t’i gjuante sepse kishte gjuajtur topin për herë të dytë. Unë i shkova nga pas dhe i thashë: “O Lin, po çfarë bën or burrë”? Ndërsa ai më kthehet dhe nga nervat më jep një shuplakë në fytyrë.

Arbitri erdhi menjëherë dhe na nxori që të dyja jashtë. E pyeta se përse po më nxirrte mua që nuk kisha bërë asgjë. M’u përgjigj: “Do dalësh se s’bën. Nuk kam se çfarë të bëj”. Kështu që 7-8 minutat e fundit të ndeshjes u detyrova t’i shikoj nga pankina.

Në momentin e sherrit në korridor mes Memës dhe Dizdarit, kam qenë dy hapa pas Osmanit. Agim Dizdari, i veshur me rroba ushtarake, e ofendon dhe Moni e qëllon. Aty pastaj ndërhyri edhe trajneri i Partizanit, Refik Resmja, dhe lojtarët e tjera që i ndanë. Më pas në dhomat e zhveshjes erdhi edhe Qemal Balluku, i vëllai i Beqir Ballukut, i cili na tha që të rrinim të qetë dhe të mos frikësoheshim e të mos merakoseshim, sepse ai do të zgjidhte menjëherë situatën.

Por tek ne vinin fjalë dhe dëgjoheshin zhurma nga dhoma tjetër ku ishin lojtarët e Partizanit se ata donin që të vinin nga ne dhe të konfrontoheshim me njëri-tjetrin. Me pak fjalë, një sherr edhe më i madh sesa ai i Memës me Dizdarin.

 

Me kalimin e kohës tifozë të Tiranës apo edhe vetë Presidenti Halili kanë kërkuar rikthimin e titullit te Tirana, pasi vendimi është dhënë nga Byroja dhe jo drejtpërdrejt nga FSHF, por fakti se ka kaluar gjithë ajo kohë, duket shumë e vështirë që kjo kërkesë te merret parasysh edhe pse vetë lojtarët e Dinamos e asaj kohe e dinë që ky ishte një titull i pamerituar.

Një plagë akoma e hapur, pasi për protagonistët e asaj kohe apo edhe për tifozët, më shumë se vjedhja e një kampionati, ajo që të dhëmb më shumë është fakti se në atë kohë nuk kishe mundësitë apo dhe fuqinë që të reagoje ndaj një padrejtësie të tillë.

Shënim: Ky artikull nuk dëshiron të krijojë konflikte midis ekipeve apo tifozerive, por dëshiron thjesht të sjellë ne vëmendje një ngjarje që ka ndodhur dhe nuk ka akoma zgjidhje dhe pas 51 vjetësh.

Përgatiti për “Eduasportin.com”: Mendrit SHEHU