Drejtori sportiv i PSG-së, Henrique: Rabiot na mashtroi, është mos respekt për klubin dhe tifozët

18 Dhjetor 2018

Drejtori sportiv i Paris Saint Germainit, Antero Henrique, konfirmon se Adrien Rabiot nuk do të vazhdojë me klubin nga Parisi.

Ai thotë se PSG ndihet e tradhtuar pasi lojtari dhe agjentët e tij më herët kishin dhënë fjalën e tyre se do kishte rinovim të kontratës.

“Është një vendim që klubi ka marrë pas takimit me lojtarin”, ka thënë Henrique për Yahoo France.

Adrien Rabiot në tentim për të ndalur Jordan Hendersonin në ndeshjen mes Liverpoolit dhe PSG-së në LK (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

“Lojtari më informoi se nuk do të nënshkruajë kontratë të re dhe se ai dëshironte të largohej nga klubi si lojtar i lirë në fund të sezonit, kur përfundon edhe kontrata e tij”.

“Kështu lojtari do të qëndrojë në bankën rezervë për një periudhë të pacaktuar. Për shumë muaj ne kishim bisedime pozitive me prezantuesit e tij, kishim edhe fjalët e lojtarit që thoshte se ai do vazhdojë me klubin tonë për shumë vite”.

Lexo po ashtu: Tuchel: Nuk garantoj në qëndrimin e Rabiotit te PSG

“Por, fatkeqësisht bisedimet u ndalën. Duket se lojtari dhe agjentët e tij na kanë mashtruar për shumë muaj”.

“Kjo situatë është mos respekt për klubin dhe tifozët, posaçërisht nga një lojtar që ka qenë pjesë e jona nga ekipet e të rinjve. Nga një lojtar që kishte gjithmonë përkrahjen klubit”, ka shtuar Henrique.

Për 23-vjeçarin kanë shfaqur interesim shumë klube, në mesin e tyre Manchester Unitedi dhe Juventusi. /Telegrafi/

www.telegrafi.com