“Dua të fitojmë sa më shumë trofe”, Pjaniç: Kam qëndruar në shtëpi, po punoj fort

13 Shtator 2020

Miralem Pjaniç, blerja e parë e Barcelonës për sezonin 2020- 2021, zbarkoi të enjten në mbrëmje në aeroportin “El Prat” të Katalonjës me një fluturim privat nga Torino. Mesfushori boshnjak qëndroi në izolim për 14 ditë pasi rezultoi i prekur me Koronavirus, por pas testeve të bëra ka dalë negativ. Megjithatë, ai duhet të bëjë testin PCR, i cili është i detyrueshëm nga La Liga për të rinisur stërvitjet në qendrën stërvitore “Joan Gamper”.

Ky është protokolli që ka ndjekur Leo Mesi, Kutinjo dhe të tjerët. Pjaniç do të stërvitet veçmas derisa të bëjë provën e dytë dhe kjo do të thotë se debutimi për të kundër Gironës të mërkurën do të jetë i vështirë. Ish-mesfushori i Juventusit tha fjalët e para për mediat e klubit.

“Është një ditë shumë speciale për mua dhe jam i lumtur. Po pres me padurim të njoh shokët e skuadrës dhe kam shumë dëshirë që ta nis sezonin e ri. Dua të ndihmoj skuadrën që të fitojë shumë tituj dhe jam i përgatitur për të dhënë gjithçka për këtë klub. Jam mirë dhe i rikuperuar. Kam qëndruar disa javë në shtëpi, por punova për të ruajtur formën. Tani kam shumë dëshirë për të luajtur”, ka thënë Pjaniç.

Ideja e klubit është që prezantimi i ish-lojtarit juventin të bëhet në fillimin e javës së ardhshme me video. Pjaniç do të sjellë eksperiencën për të cilën ka nevojë Barcelona dhe teknikën në mesfushë. Ai pritet që të jetë titullar me trajnerin Kuman, por fillimisht duhet të kapë formën.

PANORAMASPORT.AL

www.panorama.com