Ylli i Interit, Mauro Icardi në një intervistë të dhënë për "Ole" ka thënë se nuk beson që do të luajë në Botëror. Kapiteni i zikaltërve, ka shënuar 26 gola në 30 ndeshje të Serie A këtë sezon, përfshirë katër të tillë në fitoren 5-0 ndaj Sampdorias më 18 mars. Ai u thirr në katër ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në fund të vitit të kaluar, por duket që nuk është më pjesë e planit të trajnerit, Jorge Sampaoli.
“Nuk ka asgjë të çuditshme, mendoj se është vetëm fakti që nuk kisha shumë minuta në fushë”- tha 25-vjeçari.
Ai luajti në tre nga katër ndeshjet që u thirr me Argjentinën, për 90 minuta të plota në barazim pa gola kundër Uruguait më 31 gusht. Në barazimin 1-1 ndaj Venezueles, më 5 shtator u zëvendësua pas 74 minutave ndërsa ndaj Perusë u la në stol pa i dhënë asnjë minutë në dispozicion. Më pas në fitoren 3-1 me Ekuadorin, u aktivizua në minutën e 76-të. Trajneri Sampaoli e la jashtë listës në dy ndeshjet miqësore që u zhvilluan në mars, ndaj Italisë dhe Spanjës.
“Nuk e di nëse u bëra pjesë e kombëtares në kohën e duhur, për shkak të presionit që kemi pasur. Por bëra atë çfarë stafi dhe trajneri më kërkuan, dhe e vërteta është se, jam shumë i lumtur që luajta një rol në këto kualifikuese”.
Në një konferencë për shtyp, Sampaoli ka deklaruar se 80% të skuadrës e ka gati për në Botëror, por kjo nuk do të thotë se lojtarët e tjerë nuk do të merren parasysh.
“Unë jam 25-vjeç, për tre vite rresht jam kapiten i Interit dhe jam pjesë e klubit me golat e mi. Vazhdoj ëndërroj të luaj në Botëror, tani apo më vonë. E kam këtë qëllim. Nëse nuk ndodh tani, do të ndodhë më vonë”.
Icardi do të ketë shansin që të udhëtojë në Rusi me skuadrën e tij përfaqësuese, nëse Sergio Aguero nuk do të rikuperohet plotësisht. Javën e kaluar, sulmuesi i Manchester City-t iu nënshkrua një operacioni në këmbën e majtë.
“E vetmja gjë që shpresoj është që ai të rikuperohet shpejt, sepse të gjithë duan që ai të ketë sukses dhe ai i njeh përgjegjësitë dhe krenarinë që të jep ajo fanellë”.
I pyetur për lojtarët që tekniku i Argjentinës ka thirrur, ai nuk i kurseu vlerësimet ndaj tyre.
“ I njoh ata dhe i vlerësoj shumë si lojtarë dhe shokë. E meritojnë të jenë atje. Nëse janë zgjedhur, duhet t’i mbështesim dhe të besojmë tek ata në Kupën e Botës. Samapoli e di që është një përgjegjësi e madhe dhe se roli ynë në skuadër ka qenë i merituar. Ai e di gjithashtu se jam i gatshëm. Në ose jashtë ekipit, do të ndihem sikur jam me shokët e skuadrës”- ka përfunduar ylli i Inter, i cili shpreson që të marrë një ftesë për Botërorin që do të fillojë më 14 qershor në Rusi. /EDS/