Duka takon Ceferinin dhe bën fushatë për donacione gjatë shortit të Euro2020

30 Nëntor 2019

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që është njëherazi dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA, ka qenë i pranishëm në shortin e vlefshëm për fazën finale të Euro 2020, që u hodh në Bukuresht pak çaste më parë.

Duka, ka përfituar nga rasti për të takuar nga afër kreun e UEFA-s, Ceferin si dhe me homologët e federatave të tjera, duke kërkuar mbështetjen e tyre për situatën tragjike që po kalon Thumana edhe Durrësi.

Njoftimi i FSHF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka e ka përdorur pjesëmarrjen në ceremoninë e hedhjes së shorteut të Euro2020, për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti. Presidenti Duka, ka biseduar nga afër me Presidentin e UEFA-s Ceferin lidhur me situatën e emergjente në Shqipëri dhe i ka kërkuar mbështetjen e institucionit më të lartë të futbollit evropian. Kjo temë është diskutuar edhe me këshilltarin e lartë të UEFA-s, ish-futbollistin legjendar portugez, Luis Figo. Presidenti Duka ka takuar disa nga homologët e tij, Presidentë të Federatave të vendeve evropiane dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre. Ata kanë marrë përsipër si hap të parë të shpërndajnë thirrjen për ndihmë të Shqipërisë në vendet e tyre.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
www.balkanweb.com