E kërkon PSG, Rakitic zbulon vendimin për të ardhmen e tij

Ivan Rakitic ka konfirmuar se do të qëndrojë në Barcelonë, pavarësisht se është i lidhur me një lëvizje prej 90 milionë eurosh për Paris Saint-Germain. Spekulimet mbi të ardhmen e yllit të Kroacisë kanë dominuar shumicën e axhendës së mediave sportive në Spanjë javën e kaluar, me mesfushorin që thuhej se ishte i interesuar për mundësinë e bashkimit me kampionët e Ligue 1. Megjithatë, Rakitic theu heshtjen e tij pas fitores 1-0 të katalanasve ndaj Real Valladolid të shtunën, duke këmbëngulur se ai kurrë nuk ka pasur asnjë dyshim për të ardhmen e tij dhe nuk sheh asnjë arsye për t’u larguar nga “Camp Nou”. “Ka pasur shumë biseda, por e kam vendosur: unë do të qëndroj këtu, me kënaqësinë më të madhe”, i tha ai “Barca TV”.

“Sinqerisht, nuk ka asgjë më të mirë se të mbrosh këtë fanellë. Do të jap më të mirën time. Kanë qenë pak ditë me presion, por e kam kuptuar se gjëja më e bukur është të jesh në Barcelonë dhe të vazhdoj gjithçka këtu. Jam i lumtur dhe krenar”. 30-vjeçari shtoi në radion spanjolle: “Familja ime dhe unë jemi shumë të lumtur në Barcelonë, nuk kam pasur dyshime për të ardhmen time, gjëja më e rëndësishme është që unë dua të qëndroj. Për mua, është një privilegj të luaj për këtë klub. Të jesh në gjendje të mbrosh fanellën e këtij klubi është gjëja më e madhe që ekziston. Asnjë klub nuk mund të më ofrojë atë që kam në Barcelonë”, shtoi kroati. Pasi dështuan në mënyrë të dukshme për të nënshkruar me Rakitic, Paris SG thuhet se e kanë kthyer vëmendjen e tyre në përpjekjen për të afruar yllin e Tottenham, Christian Eriksen para fundit të merkatos që mbyllet më 31 gusht. /EDS/

**************************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.
Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.