E sulmuan me thikë, Gjoka në Gjykatë: Shkodra m’u kthye në stres

18 Prill 2019

Ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka ka dalë përpara gjykatës së shkallës së parë në Shkodër si dëshmitar për ngjarjen e ndodhur në shkurt të 2018-ës kur ishte ende trajner i Vllaznisë.

Gjoka u sulmua nga një person që sipas ish-trajnerit ka dashur që ta therë me thikë. Pas pak ditësh policia arrestoi dy shtetas, Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje si autor të dyshuar ndërsa akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim.

Ish-trajneri i kuqebluve ka rrëfyer në gjykatë me detaje këtë ngjarje të ndodhur teksa fillimisht iu përgjigj pyetjeve të prokurores Ajola Premçi.

“Sapo dola nga stërvitja dhe një djalë me kasketë në kokë m’u afrua dhe nxori një thikë dhe më sulmoi. U ndesha me të dhe ai iku me vrap. Nuk arrita ta evidentoj. Ai më goditi në kokë fillimisht nga prapa shpine. Pastaj e godita edhe unë për t’u mbrojtur. Ai më doli përballë më pas, nxori thikën për të më goditur. Unë mora një biçikletë që ishte afër dhe u mundova ta gjuaj. Nga frika rashë në tokë  dhe i shtrirë e gjuajta me shkelm dhe ai iku. S’kam patur asnjë debat me atë djalin më përpara. U përplasëm të dy dhe ai m’u sul me thikë. Kur unë dhe ai u rrëzuam në tokë, kapiteni Gilman Lika la çantën dhe u afrua por ai iku me vrap. Konflikte nuk kam patur por kur isha tek Vllaznia kam patur problem për futje futbollisti në lojë. Kam bërë edhe përpara një denoncim dhe u zgjidh problemi sepse policia thirri prindërit e atij. Agresorin nuk e kam njohur më përpara”.

Ish-trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka më pas iu përgjigj edhe pyetjeve të dy avokatëve mbrojtës Blerim Bazhdari dhe Fatbardh Kadrija ndërsa dy autorët e dyshuar nuk ishin në sallën e gjyqit të pranishëm.

“Nuk ishte goditje për të marrë mjekim. Nuk di ta përcaktoj përmasën e thikës sepse ishte moment tensioni dhe frike. Isha në kontakt me të dhe rrëshqita edhe nga frika. Thikën më duket se e nxori nga trupi. Unë s’kam parë askend tjetër përveç atij që më goditi. S’më tha asnjë fjalë. Ishte gjithçka shumë e shpejtë”.

Pas pyetjeve nga prokurororja dhe dy avokatët ish-trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka tha përpara gjykatës se ai vetë i ka falur të dy djemtë dhe se nuk ka asnjë interes më për këtë çështje.

“Më vjen keq dhe unë i kam falur edhe për familjet e tyre. Unë si Ernest s’kam asnjë interes në këtë çështje. S’me intereson fare sepse më është kthyer Shkodra në një stres shumë të lartë. Kur filloj e mendoj për çfarë ka ndodhur sulmi ndaj meje dhe nuk gjej shkak mua më vjen shumë keq. Unë dua ta mbyll një herë e përgjithmonë”.

Autori i dyshuar Nehat Fojleta më përpara ka pranuar se është konfliktuar me ish-trajnerin Ernest Gjoka por jo se ka pasur ndonjë thikë dhe se ka dashur që ta vrasë.

Fojleta ka deklaruar se i është drejtuar ish-trajnerit duke i thënë se “po na e fundos Vllazninë” dhe sipas autorit të dyshuar Gjoka ka lëshuar fyerje dhe sharje ndaj tij. Pas sharjeve që pretendon autori i dyshuar ai prano se ka goditur ish-trajnerin por jo se ka tentuar ta vrasë me thikë por thjeshtë sipas tij ka qenë një konflikt i çastit. Tashmë kjo çështje vazhdon në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër

www.balkanweb.com