E vërteta e Rui Faria: Ja pse nuk punoj më me Mourinhon

Misteri ka përfunduar, pikërisht në momentin që Jose Mourinho po kalon ditët më të këqija te Manchester United. Rui Faria, i cili për 17 vite ka qenë besnik i Special One, ka zbuluar arsyet që e kanë shtyrë, të largohet, të braktisë mësuesin dhe mikun e tij. E ka bërë në një intervistë të dhënë për “Times”, në të cilën ka dalë arsyeja kryesore që ka çuar te ndarja e bujshme. Një zgjedhje, sipas Faria-s, që nuk ka qenë aspak e lehtë, por që ishte absolutisht e domosdoshme.

FAMILJA- Ka qenë një nevojë për të qëndruar afër familjes së tij. “Nuk ka qenë sigurisht një vendim i marrë brenda natës, jam menduar gjatë për këtë dhe nuk pendohem. Ndjeva se kjo zgjedhje kishte të bënte me familjen time. Kanë qenë shumë të durueshëm me mua gjithë këto vite dhe kishte ardhur momenti për mua të mendoja pak për ata. Doja të kisha mundësinë të bëja gjërat që çdo baba duhet të bëjë”. Gjëra që nëse je ndihmësi i Mourinho-s, nuk mund ti dedikohesh. Ndarja ka qenë e vetmja zgjidhje në atë pikë.

Gjithsesi nuk bëhet fjalë për një largim përfundimtar, pasi siç konfirmon vetë Faria, dëshiron të kthehet në fushë, por nuk ka më dëshirë të ushtrojë detyrën e trajnerit të dytë. “Pasi kam qenë ndihmësi i Jose për shumë vite, nuk mund ta bëj këtë për asnjë tjetër. Puna me të është eksperienca më e mirë që mund të kesh. Nuk besoj se ka një trajner tjetër në botë me dijen dhe eksperiencën e tij”. Por për momentin diçka nuk po funksionon. “Tani është në modë të fajësohet ai që komandon. Duket sikur të gjithë dinë gjithçka dhe, për rrjedhojë, kur i kërkon dikujt të bëjë diçka, ndonjëherë lojtarët kontestojnë zgjedhjet”. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.