Edhe policia e Mançesterit i jep një goditje Mourinho-s

Kur bëhet fjalë për futbollin edhe policia e qytetit të Mançesterit nuk mund të rrijë pa folur. Sidomos kur institucioni akuzohet nga një nga figurat më popullore të këtij sporti Jose Mourinho, i cili është edhe trajner i skuadrës së qytetit, Manchester United.

Tekniku portugez deklaroi se shkaku për barazimin kundër Valencia-s ishte policia e qytetit, sepse ata nuk vendosën një eskortë për autobusin e lojtarëve që po shkonte në stadium, duke bërë që ekipi të mbërrinte në “Old Trafford” vetëm 45 minuta para nisjes së takimit. Për shkak të kohës që u nevojitej për t’u përgatitur për ndeshjen, gjyqtari e shtyu atë për 5 minuta.

Por policia e qytetit anglez reagoi the informoi se faji i mbetet plotësisht te stafi organizativ i “Djajve të kuq”. Shefi i inspektorëve të Mançesterit, Andy Sutcliffe, sqaroi se trajneri portugez nuk e ka treguar saktë situatën.

“Të gjitha detyrat caktohen sipas një procesi ku ne vlerësojmë mundësinë për ndonjë rrezik. Në veçanti për shoqërimin e autobusëve të klubeve, e bëjmë vetëm në rast se kemi ndonjë informacion që sugjeron se lojtarët mund të rrezikohen, kërcënohen apo dëmtohen.

Policia e Mançesterit, më parë, i përdorte veturat e policisë për t’i shoqëruar autobusët e klubeve por pasi i vlerësuam përgjegjësitë tona, kemi vendosur se ne nuk do ta ofrojmë më këtë shërbim për çdo ndeshje. Ne jemi konsultuar me klubet relevante të futbollit përgjatë muajve të fundit për t’i dhënë atyre mjaftueshëm kohë për t’i planifikuar udhëtimet deri në stadium për ndeshjet e ardhshme. Çdo ndeshje vlerësohet individualisht dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha klubet për t’u ofruar atyre shërbimet e përshtatshme të policisë”, tha zyrtari i policisë.

Pas takimit, Mourinho deklaroi se bashkë me ekipin u nisën nga hoteli në orën 18:00 dhe llogaritën se 30 minuta do të mjaftonin për rrugën. “Këtë kohë na merr normalisht rruga, por këtë herë policia nuk pranoi të na shoqëronte, kështu që ne erdhën vetë dhe na u nevojiten 75 minuta. UEFA dhe gjyqtari ishin shumë të mirë që na lejuan ta vazhdojmë ndeshen pesë minuta me vonesë. Nuk kishte asnjë problem me organizimin në klub. Ne u informuan se policia nuk kishte pranuar të na shoqëronte”, ishte sqarimi i teknikut të “Djajve të kuq”. Barazimi në shtëpi i bashkohet serisë së rezultateve negative, të cilat kanë krijuar tension brenda ekipit dhe pakënaqësi te tifozët dhe drejtuesit. /EDS/

***********************

Ndalohet ripostimi apo kopjimi i këtij artikulli pa lejen me shkrim nga eduasportin.com.

Eduasportin.com është vendtakimi i duhur për lajmet dhe të rejat nga bota e sportit. Ndiqni rrjetet sociale për argëtim, lojëra e quiz-e pafund. Lajme Sportive nga vendi e bota në kohë reale nga Futbolli dhe sportet e tjera.