EDS zbulon arsyen pse Teuta e largoi Reza Karimi-n

EDS zbulon arsyen pse Teuta e largoi Reza Karimi-n

Reza Karimi nuk është më futbollist i Teutës. 19-vjeçari i talentuar është larguar nga “djemtë e detit” pa lënë gjurmë, edhe pse u afrua si një lojtar, që do të bënte diferencën. Burime pranë klubit bëjnë me dije, se mesfushori i krahut nuk ishte në planet e trajnerit të ri Gentian Begeja dhe drejtuesit vendosën të ndërprisnin bashkëpunimin me iranianin.

“Karimi nuk do të jetë më pjesë e Teutës, pasi që kur u transferua nga Skënderbeu me formulën e huazimit nuk e ka treguar veten për asnjë moment, madje kohët e fundit i ka munguar impenjimi si në stërvitje ashtu edhe gjatë ndeshjeve. Për asnjë moment nuk tregoi cilësitë e tij ndaj vendosëm ta ndërprisnim bashkëpunimin me të”, tha për “Eduasportin.com” një burim i klubit durrsak.

19-vjeçari ka grumbulluar 11 ndeshje me Teutën këtë edicion në kampionat, prej të cilave vetëm 8 si titullar, ndërsa nuk arriti të shënonte asnjë gol me fanellën e bregdetarëve. Sa i përket Kupës së Shqipërisë, Karimi u aktivizua vetëm në dy ndeshje.