Ëndrra “Kante” e Antonio Kontes, Interi gati të sakrifikojë mesfushorin titullar

12 Shtator 2020

Diçka po lëviz, me shkëmbime email-esh dhe mesazhesh dhe përtej fjalëve të dashurisë për fanellën zikaltër, edhe Marselo Brozoviç vetë e di se e ardhmja është gjithmonë e më larg Milanos.

Shtypi ndërkombëtar ka nisur të afrojë emrin e kroatit me klube të ndryshme. Pas Bajernit të Mynihut, me të cilin kroati kishte nisur një “flirt” në rrjetet sociale, duke i vendosur “like” një lajmi të merkatos gjermane që e shikonte pranë kampionëve të Europës, ja në sfond Monakoja. Nga Bavaria në Principatë, dy botë të ndryshme, dy rrugë që mund ta largojnë Brozoviçin nga Italia.

Në Montekarlo për momentin në stol ndodhet Niko Kovaç, ish-trajner i Kroacisë, dhe sipas një udhëzimi të tij klubi ka shtuar në listën e merkatos Brozon. Një muaj më parë francezët ishin gati të ofronin 22 milionë, tani po vlerësojnë sulmin e radhës, me një ofertë më të lartë. Ndër të tjera muajt e fundit të lojtarit në Milano kanë shënuar edhe një krisje të dukshme me Interin, që nuk i ka pritur mirë aventurat e fundit jashtë fushe të mesfushorit: nga patenta e tërhequr pas kalimit me semafor të kuq, te skena në ambulancën e spitalit “San Karlo”, ku Brozo humbi kontrollin duke u vendosur kundër mjekëve dhe pacientëve pasi shoqëroi një mik.

I SAKRIFIKUESHËM – Ndërkohë, Interi është në kërkim të një thesari për t’i dhuruar Antonio Kontes ëndrrën “Kante” dhe kroati është një nga të sakrifikueshmit për të provuar më pas presingun ndaj Çelsit. Klauzola e largimit të Brozos, që skadoi në korrik, jep megjithatë tregues mbi vlerën e tij: 60 milionë euro.

Pavarësisht se në kohë “COVID”-i gjithçka duhet menduar në ulje mund të konsiderohet një ofertë prej 40 milionësh, fonde që do të afronin Kantenë, i vlerësuar 50 milionë. U përfol edhe për një shkëmbim me Çelsin (për tani asgjë konkrete), por edhe për një interesim të PSG-së dhe Realit të Madridit, megjithëse për momentin në selinë zikaltër nuk ka ardhur asnjë ofertë.

www.panorama.com