Epoka e artë, kur Maradona e Platini bënin ligjin në futbollin botëror!

Ti mund ta lexosh kete ne 6 min.
21 Prill 2018 22:11

Rivaliteti Cristiano Ronaldo-Lionel Messi do mbetet në arkivat e historisë së futbollit si dueli më i madh. Jo vetëm kaq, por ai renditet ndër përplasjet më të arrira të sportit në krah të dueleve epike si Muhammad Ali-Joe Frazier, Alain Prost-Ayrton Senna, etj.

Për gati 10 vjet ata kanë luftuar për fronin e “mbretit të futbollit” duke nxjerrë jashtë loje çdo kandidat tjetër. 10 “Topa të Artë”, 7 Champions League dhe një sërë trofesh të tjerë në radhë hipotekojnë vendin e tyre në “Hollin e Yjeve më të suksesshëm të futbollit”. Megjithatë dekada më parë nuk kanë munguar emrat të mëdhenj që i dhanë futbollit një drejtim të ri, qoftë Cruyff, Maradona, Zidane, Ronaldo, Ronaldinho dhe shumë të tjerë.

Vitet ‘80 ka qenë periudha kur Italia ishte “toka e premtuar” e shumë yjeve të futbollit. Ekipet italiane falë financimeve të fuqishme ishin transformuar në superfuqitë e futbollit të kohës si Juventusi dhe Milani. Por do të ndalemi te dy ikonat e futbollit italian dhe botëror që edhe sot konsiderohen si ndër dy yjet më çmuar të futbollit. Diego Armando Maradona dhe Michel Platini dikur luftonin për dominimin e Serisë A dhe kontinentit europian. Juventusi dhe Napoli njiheshin si dy skuadra me ambicien për të fituar çdo trofe të mundshëm. Të dy futbollistët mbërritën në Itali në momente të ndryshme. Francezi me origjinë italiane la ekipin e Saint-Étienne në fazën kur kombëtarja e “Gjelave” ishte përfshirë në fushatën e Botërorit “Spanjë 1982”. Të udhëhequr nga kapiteni Platini, francezët u skualifikuan në mënyrë kontroverse nga Gjermania Perëndimore. Turneu i shtoi Platinisë kreditet e një lojtari të talentuar që duhej të niste një eksperiencë të re nëse synonte të kthehej  në futbollistin më të mirë në botë. Juventusi ishte skuadra që kishte nevojë për karakterin, karizmën dhe talentin e tij. Francezi u bë menjëherë lojtari më i përzemërt në Torino duke shkëlqyer në 5 vitet me fanellën bardhezi.

Në vitin 1982 mbarë bota priste me padurim shpërthimin e talentit të argjentinas Maradona. Tre vite më parë ai udhëhoqi bardhekaltërit e Argjentinës në triumfin e Kampionatit Botëror për të Rinj. Edhe pse shumë i ri për të qenë një lojtar kyç në formacionin e kampionëve të botës në fuqi, trajneri Cesar Luis Menotti vendosi t’i besonte talentit të ri, duke i dhënë mundësinë e debutimit në Kupën e parë të Botës. Argjentinasit dështuan të ruanin titullin duke u skualifikuar në fazën e dytë të grupeve përballë Brazilit dhe Italisë. Maradona nuk arriti të bënte asgjë për të nxjerrë nga humnera ekipin e tij përballë furisë braziliane, madje u largua nga Botërori me karton të kuq pas goditjes me këmbë në testikuj ndaj Batistas.

Pas përfundimit të aventurës në Spanjë me Barcelonën, ku ambienti armiqësor dhe ekstrem që ekzistonte midis katalanasve dhe Athletic Bilbaos pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco gati i kushtoi Maradonës përfundimin e parakohshëm të karrierës në vitin 1983 në ndeshjen midis Barcelonës dhe ekipit bask të Bilbaos. Mbrojtësi agresiv Andoni Goikoetxea i theu Diegos kyçin e këmbës pas një ndërhyrje brutale ndaj 22-vjeçarit argjentinas. Maradona priti fundin e sezonit 1983-1984 për të braktisur përfundimisht Spanjën.

Opinioni publik botëror dhe Italian u befasua kur ekipi i Napolit deklaroi se kishte siguruar shërbimet e Maradonas për një rekord prej 6.9 milionë paundësh. Klubi kishte sakrifikuar të gjithë kapitalin bankar për të goditur në merkato. Napoli ishte një skuadër province e varfër në jug të Italisë dhe sezonin e kaluar kishte shpëtuar nga rënia në Serinë B për vetëm një pikë. Me Maradonën dhe një grup lojtarësh që do mbërrinin në “San Paolo” në vitet në vijim drejtuesit e klubit kishin synime madhore për të rivalizuar direkt ekipet e veriut të Italisë; Juventusin, Milanin dhe Interin.

Me dy yjet më të mirë të momentit, Juventusi dhe Napoli përgatitën të gjithë arsenalin për të konkurruar në çdo kompeticion. Por pyetjes se cili prej të dyve meriton të quhet më i spikaturi nuk mund të gjendet një përgjigje e thjeshtë dhe përfundimtare. Nëse nisemi nga statistikat e golave, Platini ka një mesatare më të lartë në krahasim me kapitenin e Napolit, Maradonën; 0.91 kundrejt 0.68. Por nuk duhet harruar se disa prej mbrojtësve më të mirë në botë Juventusi i kishte në përbërjen e vet. Një pjesë e ekipit kishte statusin e kampionit të botës më Italinë në 1982. Por Maradona ishte në gjendje të bënte diferencën me këdo ekip që të luante. Merita më e madhe në karrierën e tij është ngritja nga niveli inferior në majën e suksesit të Napolit dhe Argjentinës. Me napolitanët “El Pibe de Oro” fitoi dy herë Serinë A (1987,1990), Kupën e Italisë dhe Kupën UEFA në 1989. Por kurorëzimi i karrierës së tij mbetet pa dyshim Kupa e Botës në Meksikë në 1986 kur Maradona pushtoi i vetëm turneun.

Por Platini nga ana tjetër falë golave dhe pasimeve siguroi dy tituj kampion (1984,1986), Kupën e Kampioneve në 1985-n, Kupën UEFA në 1984-n, Superkupën e Europës në 1984-n, Kupën Interkontinentale në 1985-n dhe Kupën e Italisë në 1983-shin. Francezi u bë i pari lojtar që fitoi 3 “Topa të Artë” radhazi, një arritje që u realizua më vonë edhe nga Lionel Messi. Kampionati Europian i 1984-s (EURO 1984) ishte i destinuar të fitohej nga Franca dhe Michel Platini. Ai shënoi një rekord prej 9 golash në të gjithë turneun duke marrë me vete dhe trofeun pas finales së fituar 2-0 ndaj Spanjës. Statistikën e 9 golave të Platinisë në një turne europian nuk e ka thyer asnjë lojtar tjetër deri më sot.

Juventusi ishte ndër dy-tre ekipet më të mira të botës falë një ekipi të organizuar në mbrojtje, mesfushë dhe sulm ku spikasnin emrat e Dino Zoff, Antonio Cabrinit, Gaetano Scireas, Marco Tardellit, Claudio Gentiles, Zbigniew Boniekut, Paolo Rossit dhe “as”-it të ekipit Platinisë. “Bardhezinjtë” drejtoheshin në këtë periudhë nga njëri prej trajnerëve më të njohur të futbollit italian dhe botëror, Giovanni Trapattoni. Platini qëndroi 5 vite në Itali kur i dha fund karrierës në moshën 31-vjeçare në 1987 me ekipin juventin, kurse Maradona qëndroi 7 vjet në Napoli derisa u largua i detyruar nga akuzat për përdorim kokaine nga Gjyakata italiane. Suksesi më i madh i Maradonës dhe Napolit erdhi pasi Platini dhe një pjesë e mirë e ekipit të Juventusit u larguan pas gati 10 vitesh. Juventinët pritën një kohë të gjatë për të fituar sërish Serinë A në 1995. Por nëse Maradona do të luante me një ekip si Milani apo Juventusi në vitet ‘80-të me shumë gjasa që suksesi do të shumëfishohej në krahasim me qëndrimin tek ekipi i Napolit. Për më tepër Maradona ishte një lojtar më dinamik, i gatshëm të merrte i vetëm fatin e ekipit dhe kombëtares duke treguar një forcë karakteri të pashembullt. Kjo është njëra nga arsyet se përse lojtari legjendar dhe “Perëndia” e napoletanëve zgjidhet prej shumë vetave si futbollisti më i mirë i të gjithë kohërave, në konkurrencë me Pelenë, Cruyffin, Ronaldon (“Fenomeni”), Messin dhe Cristiano Ronaldo.

Megjithatë të dy mbeten ndër modelet më të mira të lidershipit të ekipit. Në rang klubi dhe kombëtareje Maradona dhe Platini vlerësohen dhe për rolin e kapitenit që mbajtën te skuadrat gjatë gjithë karrierës së tyre. Vitet ‘80 falë Maradonës, Platinisë, Gullitit, Rijkaardit, Van Bastenit, Zicos, etj., mbetet epoka më nostalgjike e futbollit italian. Sot Italia vuan dominimin dhe vëmendjen  që kanë fituar ekipet e Premier League dhe La Liga. Një fakt tjetër që thellon dhe krizën në futbollin italian është dhe dështimi i kualifikimit në Kupën e Botës në Rusi, diçka që nuk ndodhte prej 60 vitesh. Për më tepër që Serisë A i mungojnë futbollistë të rangut të yjeve, ç’ka e ka lënë futbollin italian të humbasë në errësirë./EDS/

Kërkesa për kod të ri
Ne ju kemi dërguar një link për të ndërruar kodin. Ju lutem kontrolloni postën tuaj elektronike