Europa është në prag, Partizani dhe Kukësi nuk humbasin kohë

14 Maj 2019

Partizani dhe Kukësi po përgatiten për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në Kupat e Europës dhe këtë më së shumti e dëshmon fakti që të si kampionët, ashtu edhe verilindorët, kanë nisur të piketojnë afrimet e radhës në ekip, ndonëse më herët duhet të blindojnë elementët më cilësorë të grupit.

Të kuqtë janë klubi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League dhe ka nevojë për përforcime të kalibrit të lartë. Flitet për një rikthim të bujshëm, ai i Arbnor Fejzullahut, mbrojtësi i djathtë që aktivizohet në radhët e Njushatelit në Zvicër. 26-vjeçari braktisi të kuqtë për superligën helvete kryesisht për motive familjare, por aktivizimi i tij atje ka qenë me pikatore, ndërsa së fundit menaxheri i lojtarit po punon që ta rikthejë te Partizani, ku shkëlqeu në tre sezonet e tij të parë përpara se të vuante një dëmtim në edicionin e shkuar. Sa i takon kontigjentit aktual, Lorenc Trashi, Jasir Asani dhe Egzon Belica janë emrat më të lakuar për një largim të mundshëm. Mbrojtësi i majtë ka treg në kampionatin kroat, Asani mund të largohet për një shifër prej 400 mijë eurosh të parashikuar në klauzolë, ndërsa Belica del i lirë në fund të sezonit, ndonëse drejtori Rama ka pohuar se me struganin do të rinovohet kontrata.

Me finalen e Kupës së Shqipërisë të siguruar dhe vendin e 4-ët gjashtë pikë larg, Kukësi praktikisht është skuadra tjetër që do të luajë në Europë. Verilindorët do të përfaqësohen në Ligën e Europës, ndërsa presidenti Gjici është vënë menjëhërë në lëvizje për të blinduar prapavijën, repart që ka çaluar shumë këtë sezon. Emri i parë në listë është ai i Bujar Likës, mbrojtësit së Grasshopersit dhe Kombëtares kuqezi, por drejtorit Nexhipi do t’i duhet shumë punë për ta bindur. Gjithsesi, objektivi primar janë rinovimet. Rexhinaldo, Korderiro, Rrumbullaku, Cuculi dhe Frashëri kanë paraqitur në FSHF kërkesën për të qenë të lirë në fund të sezonit, duke mos pranuar rinovimin automatik të kontratës. Gjithsesi, drejtuesit e Kukësit duan të bëjnë një ecuri sa më të mirë në Europë dhe një nga kërkesat kryesore të trajnerit Gjoka, është të blindohen elementët kryesorë të grupit aktual.

(Balkanweb)

www.balkanweb.com